Juventusi është gati të lëvizë fuqishëm në merkato dhe ka një emër të madh në krye të listës për repartin e sulmit, Viktor Osimhen.Sulmuesi nigerian, aktualisht në pronësi të Napolit, është objektivi kryesor i klubit bardhezi për të forcuar skuadrën në sezonin e ardhshëm. Një mision aspak i lehtë, që kërkon të paktën 100 milionë euro dhe durim për të përballuar kompleksitetin e situatës kontraktuale të lojtarit.
SITUATA– Osimhen, i cili e njeh mirë Serinë A dhe nuk do ta kishte problem të rikthehej në kampionatin italian, edhe pse preferon ende Premier Ligën si destinacionin ideal. Megjithatë, për momentin nuk ka lëvizje konkrete nga klubet angleze që më parë e kishin vëzhguar nga afër, si Mançester Junajtidi apo Arsenali. Në horizont janë shfaqur oferta të majme nga Arabia Saudite, por 26- vjeçari i ka refuzuar me vendosmëri, synimi i tij është të qëndrojë në nivelet më të larta të futbollit europian.
NEGOCIATAT- Juventusi, në heshtje, ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit. Ende nuk ka një ofertë zyrtare në drejtim të Napolit, por bardhezinjtë janë të gatshëm të paraqesin një propozim prej rreth 80 milionë eurosh, përmes agjentit të Osimhen. Një shumë e konsiderueshme, por më e ulët se kërkesa e klubit napolitan. Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentis, nuk njihet për lëshime. Ai preferon ta shesë lojtarin jashtë Italisë, për të shmangur një tjetër rast “Higuain”, kur në vitin 2016 pranoi të shesë yllin argjentinas pikërisht te Juventusi për 90 milionë euro, një veprim që trazoi jo pak tifozët napolitanë. Tani, me Osimhen, kërkesa është edhe më e lartë, 100 milionë euro.
NDËRLIKIMI- Situata bëhet më e ndërlikuar nga marrëveshjet aktuale të Osimhenit. Sulmuesi është në huazim te Galatasaraj deri në qershor 2025, por Napoli ka një opsion për rinovim të kontratës deri në vitin 2027, nëse nuk realizohet një shitje këtë verë. Nëse asnjë klub europian nuk ofron shumën e kërkuar dhe lojtari refuzon destinacionin arab, Napoli rrezikon të mbajë në skuadër një lojtar me kontratë 12 milionë euro në vit, pa garanci se do të jetë pjesë aktive e projektit. Një çështje e ndjeshme që mund të vendosë fatin e merkatos së Juventusit, por edhe të vetë karrierës së Osimhen. Nëse De Laurentis vendos të hapë derën për një transferim drejt Torinos, mund të kemi një tjetër kapitull të nxehtë në historinë e merkatos italiane. Deri atëherë, mbetet një betejë nervash dhe milionash.
PANORAMASPORT.AL