Liga e Kampioneve në shtëpi pas humbjes së parë sezonale në kampionat, mund të ishte një frymëmarrje lehtësuese nga Juventusi nëse e shfrytëzonte si duhej.
Pak për shkak të asaj shpresës së vogël që kishte “Zonja” për t’u kualifikuar drejtpërdrejtë, që në një mbrëmje delirante si ajo e javës së fundit të Championsit, me një klasifikim që kurrë nuk ishte parë të ishte aq i paqëndrueshëm nuk dukej e pamundur. Pak edhe për kënaqësi personale, për ta mbyllur me fitore fazën e kampionatit, e mbi të gjitha, pak për moralin që tani është totalisht për tokë. Dhe nëse pyet tifozët e Juventusit të përshkruajnë situatën aktuale, njësoj si në fushë, ata ndoshta nuk do të përgjigjeshin me fjalë, por vërshëllima. Në rrjetet sociale tashmë, ka nisur një fushatë e qartë, Motën e duan jashtë, e duan të largohet.
NGA STADIUMI NË RRJETE SOCIALE- Në ambientin bardhezi është rikthyer “hashtag”-u që shpesh del kur ka një pakënaqësi. #Motaout, shkruajnë tifozët dhe tashmë në këtë vorbull ka rënë pikërisht trajneri që ende nuk ka arritur dot të tregojë vlerat e tij në krye të stolit bardhezi. Vërshëllima pa fund, por edhe kore kundër tij u dëgjuan në sfidën ndaj Benfikës nga tifozët e “Zonjës”. Një pjesë e tyre madje, e braktisën stadiumin ende pa përfunduar 90 minutat e kohës së rregullt. Mesazhi është i qartë, Mota tashmë nuk është më një njeri i dëshiruar.
PËRGJEGJËSIA- “I vetmi përgjegjës për këtë situatë jam unë. Nëse nuk arrijmë dot të jemi superiorë ndaj kundërshtarit, përgjegjësia mbetet vetëm mbi mua. Nuk dua t’i drejtoj gishtin asnjë lojtari tjetër.” Kështu u shpreh edhe vetë Tiago Mota pas ndeshjes që tregon mbi të gjitha se ai e ndjen më shumë se kushdo përgjegjësinë e fajit në një situatë kaq të rënduar te Juventusi. Nëse pyet lojtarët, Lokateli shprehet se kjo vjen për shkak të mungesës së eksperiencës nga ana e grupit. Perin thotë se vështirësitë e “Zonjës” janë të qartë, ndërsa Mekeni kërkon qetësi dhe tregon se ka besim te projekti dhe që duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar.
Një bashkësi që nuk duket se është as brenda ekipit, por as me tifozët. Duglas Luiz dhe Dushan Vlahoviç nuk pranuan të përshëndesin tifozët pas përfundimit të ndeshjes. Në rrjet nga ana tjetër mesazhi është i qartë. Motën nuk e duan më te Juventusi. Kupa është mbushur sipas tyre. Barazimet kanë qenë kryefjala e rezultateve bardhezi, loja nuk ka qenë kurrë në një nivel konstant, ndërsa zhgënjimet kanë ardhur herë pas here.
Ndryshe nga herët e tjera, në këtë moment, e ardhmja e Motës është vërtetë e paqartë. Qëndrimi te Juventusi nuk është më i sigurt, dhe lajmet se drejtuesit kanë kontaktuar një tjetër trajner kanë nisur. Në prapaskenë mbetet gjithmonë një emër, Ksavi.
PANORAMASPORT.AL