Juventusi ka bërë një ofertë prej 35 milionë eurosh për Ronald Araujo, mbrojtësin uruguajan të Barcelonës.
Sipas gazetës spanjolle “Marca”, klubi katalanas e ka refuzuar kategorikisht këtë ofertë nga bardhezinjtë.
Edhe pse Araujo ka shprehur dëshirën për të luajtur më shumë dhe ka kërkuar largimin nga Barça, klubi është i vendosur ta lejojë të largohet vetëm për një shifër shumë më të lartë, që varion mes 70 dhe 80 milionë euro.
Në një konferencë për shtyp këtë mëngjes, trajneri Hansi Flick u shpreh mbi të ardhmen e Araujo: “Kur fillova si trajner i Barcelonës pashë që kishte shumë thashetheme. Ronald është kthyer nga një dëmtim i tmerrshëm dhe tani është në gjendje të luajë fort.
Ai është një opsion i mirë dhe shumë profesional. Nuk duhet të flasim për zërat që qarkullojnë rreth tij. Dua ta kem në ekipin tim”.
Ndërkohë, një nga agjentët e Araujo, Andres Espinosa, ka komentuar situatën në një intervistë për “Mundo Deportivo”: “Ai ka marrë disa oferta gjatë këtij muaji janar, më e rëndësishmja ka ardhur nga Juventusi. Megjithatë, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, pasi i jep përparësi Barcelonës”.
Përveç Juventusit, edhe Arsenali është duke ndjekur situatën e Araujos, pasi londinezët janë në kërkim të një qendërmbrojtësi për pjesën e dytë të sezonit.