Masimiliano Alegri ka vendosur që të ndezë turbon së bashku me lojtarët e tij, teksa pas fitores 5-1 të Interit në Monza i përgjigjet me një 3- 0 të pastër zikaltërve, duke vazhduar presionin ndaj tyre. Por sërish ai nuk kërkon që të dëgjojë fjalën “titull”, edhe pse dje i ngacmuar mbi argumentin në fjalë e ka marrë me ironi krahasimin e bërë pak ditë më parë nga administratorit zikaltër, Xhuzepe Marota.
Alegri, pas 10 golave në 180 minuta në Kupën e Italisë vjen një 3-0 në javën e parë të fazës së dytë në Serinë A. Keni nisur të dëfreheni, apo jo?
Nuk është çështje dëfrimi, por nevoje për të fituar ndeshjet, sepse në futboll vjen kjo gjë vlen. Pjesa tjetër është një hiç. Me Sasuolon nuk ishte e lehtë sepse në fazën e parë në shënonin 4 gola dhe sot (dje) bëri Shezni dy pritje të bukura që arritëm ta çojmë lehtësisht rezultatin në shtëpi. Por mendoj se në fund pa dyshim që e merituam, ndonëse këto tri pikë nuk do të vlejnë asgjë, nëse nuk përsëriten me Leçen në fundjavë. Dhe mbi të gjitha, pas kësaj fitoreje dua të shoh a më shumë gojë të mbyllura dhe të vazhdojmë të punojmë në heshtje.
Ndërkohë që po flisni, po shihni edhe disa nga momentet më të bukura të ndeshjes. Çfarë ju vjen në mendje?
Që ishte një ndeshje e bukur, ndonëse doja të shihja edhe pak më shumë kthjelltësi në zonën rivale. Në pjesën e dytë na ndihmuan shumë zëvendësimet, kështu që mund të them se jam përgjithësisht i lumtur.
Cili është sekreti juaj, duke parë këto fitore edhe me shumë gola diferencë?
Asgjë, vetëm komunikim i pastër me lojtarët e mi. I thashë se kjo është ndeshja më e rëndësishme e fazës së dytë dhe ata e morën mesazhin dhe u treguan shumë të zotë në fushë. Sekreti mendoj se është maturia që kemi fituar, sidomos pas gjithçkaje që na ndodhi në sezonin e kaluar.
Në vitin 2014 i dhatë mundësinë një 17-vjeçari si Koman që të debutonte që në javën e parë dhe të koleksiononte 14 prezenca që në vitin e tij të parë. Ndërkohë këtë herë keni zbuluar Jilldëzin, që po të shpërblen dhe është bërë zgjedhja juaj e parë. Shihni ndonjë ngjashmëri mes lojtarëve të rinj që i keni dhënë besim?
Kur shoh Jilldëzin me kujtohen fëmijët e vegjël që luajnë në rrugë. Të gjithë kërkojnë topin… Por lojtarë që ta pasojnë, ta ulin topin dhe ta menaxhojnë si Jilldëzi ka pak në qarkullim. Sepse mbi të gjitha ai rrallë herë gabon edhe zgjedhjet në fushë, rrallë herë e dërgon topin në mënyrë të gabuar, por mbi të gjitha, më shumë se Komani me të cilin e krahasuat, ka edhe më shumë gola në këmbët e tij. Është vetëm 18-vjeç dhe duhet të jetë i lumtur për atë që po bën dhe po merr.
Nëse Lautaro për Interin është i pazëvendësueshëm, çfarë mund të bëhet për ju Vlahoviçi?
Dushan po rritet dhe mbi të gjitha, ndaj Sasuolos jo vetëm shënoi, por luajti edhe futboll. Ndërsa kur hyri gjysmë ore nga fundi me Frozinonen në kupë bëri një ndeshje të shëmtuar. I fola dhe më vjen mirë që e ka marrë mesazhi. E kuptoj që një si Vlahoviçi kur hyn nga stoli ka dëshirën që të thyejë çdo gjë, por kjo është shenjë jo maturie. Ndërsa me Sasuolon ishte i qetë dhe rezultati ishin 2 gola spektakolarë. Kjo është diferenca në futboll, kaq pak…
Ju pëlqen roli i gjuetarit? Duke qenë se siç e tha Marota, Interi është si lepuri…
Patjetër që na pëlqen! Nëse ka një lepur përpara është edhe dikush mbrapa që e gjëmon. Por le të themi se më së shpeshti ata që ia mbathin janë hajdutët dhe rojet ose policët i vihen nga pas… Ne duhet të tregohemi shumë të zotë dhe mbi të gjitha të qëndrojmë të qetë, të kthjellët. Të dielën do të na duhet të shkojmë në Leçe, në një fushë shumë të vështirë, prandaj duhet të përgatitemi shumë mirë për një ndeshje që do të jetë vërtet e çmendur.
Çfarë do të thoshte për ju, nëse shkoni virtualisht të parët, duke fituar në Leçe dhe në atë pozicion të prisnin sfidën direkte me Interin?
Por çfarë flisni… Bëtë trehapësh menjëherë… Ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen me Leçen, e cila është shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë për t’u fituar. Na pret një betejë e fortë, ndoshta edhe më e fortë se me Interin…
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL