Lojtari i Liverpool mund të kalojë në huazim te bardhezinjtë për të qenë në krah të Yildiz. Rodriguez dhe Norton-Cuffy janë emrat e tjerë të merkatos së dimrit.
Juventusi mund të bëjë një goditje të befasishme në merkaton e janarit. Mes emrave që mund të forcojnë skuadrën e trajnerit Spalletti dhe që do ta lejonin atë të tentonte diçka më shumë se një vend në Champions League, ka dalë edhe Federico Chiesa. Prej një viti e gjysmë te Liverpool, ai ka pasur pak hapësirë dhe mund të kthehet në Torino për të synuar edhe një vend në Botërorin 2026.
Spalletti e ka vlerësuar gjithmonë, madje e ka quajtur “Sinneri ynë” kur drejtonte Italinë, kërkon një afrim në sulm dhe Chiesa do të ishte lojtari i duhur për të qenë dyshe me Yildiz. Rikthimi i Chiesa është më shumë se një ide. Sulmuesi mund të bashkohet me Juventus në formë huazimi deri në fund të sezonit, duke qenë se klubi bardhezi nuk ka në plan të shpenzojë shumë në janar.
Te Liverpool Chiesa nuk po luan rregullisht, trajneri Slot e vlerëson, por nuk e aktivizon, ndërsa vetë lojtari është lodhur duke pritur shansin e tij. Comolli ndërkohë po përpiqet ta kënaqë trajnerin Spalletti edhe në anë të tjera. Në mesfushë, duke qenë se për Tonali dhe Hojbjerg do të flitet në verë, Juventusi po tenton Guido Rodriguez, ekspertin argjentinas.
Një tjetër pikë delikate është krahu i djathtë, ku Joao Mario nuk ka bindur dhe mund të largohet. Brooke Norton-Cuffy është i pari në listë dhe po bisedohet për të.


