Në prag të sfidës kundër Veronës, trajneri Tiago Mota ka dhënë konferencën e zakonshme për shtyp. Ai është ndalur gjatë para mediave duke qenë se kjo sfidë vjen pas humbjes kundër Empolit.
Megjithatë, Mota shprehu besim të plotë te lojtarët e tij dhe se pret që në këto javë të mbetura të japin maksimumin, duke qenë se me një triumf sot do të shkonte në -6 pikë nga kreu për të “ëndërruar” diçka më shumë.
Si kthehet Juventusi në fushë pas humbjes ndaj Empolit në Kupën e Italisë? Si kanë qenë këto ditë? Nuk ka qenë e lehtë, por është detyra jonë të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe të jemi gati të përballemi me kundërshtarin e radhës në mënyrën më të mirë. Kundërshtari ynë sot është Verona, do të jetë e komplikuar, por në të njëjtën kohë ne kemi një energji të madhe dhe një dëshirë të madhe për ta transformuar këtë inat dhe të tregojmë në fushë se jemi superiorë ndaj kundërshtarit dhe të marrim tri pikët.
Pas rezultateve të së shtunës, Juve ndaj Veronës ka shansin të kalojë në -6 nga kreu. A mund të synojë skuadra diçka më shumë se një vend në Ligën e Kampioneve? Duke e marrë të mirëqenë se ne gjithmonë kemi dalë në fushë për të bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe për të arritur fitoren, në këtë moment do ta bëjmë edhe më shumë. Kanë mbetur edhe 12 javë duke përfshirë ndeshjen e sotme të kampionatit, ku në çdo ndeshje do të dalim në fushë duke menduar të bëjmë më të mirën dhe të marrim rezultatin më të mirë. Ambicia jonë është t’i shtojmë pikët tre nga tre për të arritur fitoret që na duhen dhe për të arritur qëllimin tonë me përkushtim, sakrificë dhe ambicie. Duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer kundër Veronës, si teknikisht ashtu edhe fizikisht, për ta çuar lojën atje ku duam dhe për të marrë rezultatin në anën tonë.
Pas ndeshjes me Empolin ju folët për “turp” dhe se shpresonit që edhe lojtarët ta ndienin këtë turp. E keni vënë re këtë turp në grup? Kishte një zhgënjim të madh nga të gjithë. Isha i zemëruar pas ndeshjes sepse i dua lojtarët e mi, i njoh shumë mirë. Ne kemi luajtur 39 ndeshje dhe kundër Empolit gabuam për diçka që nuk mund të gabonim. I shoh çdo ditë në stërvitje, e di përgjegjësinë që marrin përsipër, por herën e fundit nuk e bëmë. Qëndrimi në pjesën e parë nuk ishte i mirë, e vumë veten në vështirësi të mëdha. Do të japim maksimumin në 12 ndeshje për të mos përsëritur atë që ndodhi në Kupë.
Si përgatiteni për një ndeshje si ajo ndaj Veronës pas disfatës kundër Empolit? Duke ardhur nga kjo disfatë, të bën të ndihesh i hidhëruar, i zemëruar dhe i zhgënjyer. Duhet të shndërrohet gjithmonë në diçka të rëndësishme për të përballuar ndeshjen e radhës që do të jetë Verona. Do të duhet të dalim në fushë si gjithmonë, përveçse si asaj që bëmë kundër Empolit. Ne kemi zbritur gjithmonë me përkushtim maksimal, përgjegjësi të madhe, duke marrë vendimet më të mira për ekipin. Ky është reagimi më i mirë.
Cilët janë liderët e ekipit? Kapiteni ynë sot është Lokateli, por ka shumë liderë që marrin përgjegjësi, në radhë të parë unë si trajner që e kam vënë veten gjithmonë para grupit. Vendimet janë të miat dhe unë marr përgjegjësi për to. Shtrëngimi i grupit nuk ka të bëjë vetëm me lojtarët, por ne kemi kaq shumë njerëz këtu, marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë e shkëlqyer. Mjekë, teknikë, fizioterapistë, stafi i lojtarëve, kuzhinierja jonë, magazinierët tanë. Ne kemi qenë gjithmonë të bashkuar dhe kur rezultatet nuk vijnë, ka kritika të drejta. Jemi të bashkuar për të përballuar këtë fund të sezonit.
PANORAMASPORT.AL