Vojçeh Shezni ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli, duke i varur dorezat në moshën 34-vjeçare.
Për ta bërë këtë ai zgjodhi një mesazh të gjatë social me shpjegimet e një vendimi të papritur, por të marrë për arsye specifike: “Trupi im ndihet ende gati për sfidat, por zemra ime nuk është më aty. Ndiej se ky është momenti ku vëmendja ime duket e përqendruar tërësisht te familja ime, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionist”. Në Itali fillimisht mësuam ta njihnim Sheznin me fanellën e Romës, kur ai mbërriti në huazim për dy sezone nga Arsenali, dhe më pas me atë të Juventusit deri pak javë më parë, përpara zgjidhjes konsensuale që dukej se do të hapte sfida të reja profesionale për polakun, i cili kërkohej nga Monza, pa harruar edhe ofertat nga Arabia Saudite. Ja që ishte vetëm preludi i perdes së ulur në karrierën e tij (fituese) në moshën vetëm 34 vjeçare. Ndeshja e tij e fundit zyrtare ishte në Berlin në “Euro 2024”, duke mbrojtur shtyllat e Polonisë për herë të 84-të.
MESAZHI – “Kam luajtur ndeshje në nivelin më të lartë me lojtarët më të mirë në histori pa u ndjerë ndonjëherë inferior. Kam bërë miq gjatë gjithë jetës, kam krijuar kujtime dhe kam takuar njerëz që kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time. Gjithçka që kam dhe gjithçka që jam ia detyroj lojës së bukur të futbollit… Por edhe gjithçka që kisha i dhashë lojës. I dhashë lojës 18 vite të jetës sime, çdo ditë, pa justifikime. Sot trupi im ndihet ende gati për sfida, zemra ime nuk është më aty. Ndiej se tani është koha t’i kushtoj vëmendjen time të plotë familjes sime, gruas sime të mrekullueshme Marina dhe dy fëmijëve tanë të bukur, Liam dhe Noelia. Prandaj kam vendosur të tërhiqem nga futbolli profesionist”, shkruante Shezni, i cili është falënderuar në mënyrë të veçantë edhe nga Juventusi, klubi dhe dashuria e tij e fundit sportive.
PANORAMASPORT.AL