La Liga është kthyer. Premiera për Realin e Madridit do të jetë në një nga tempujt më të mëdhenj të futbollit spanjoll, “San Mamés” (Bilbao). Pasi ndaloi së konkurruari në sezonin e kaluar me shumë javë para mbylljes, Reali do të kërkojë të kthehet pretendent absolut në sezonin e ri në kërkim të fronit të Barcelonës. Objektivi i parë tri pikësh është fitorja në shtëpinë e Atletikos së Bilbaos, një nga ato transferta që shënohen gjithmonë me të kuqe në kalendarin e “los blancos”. Por Madridi ka një kartë me vlerë në dorë: Karlo Ançelotin.
Kampion në secilin prej pesë kampionateve më të rëndësishëm në Europë, Ançeloti ofron një letër prezantuese spektakolare në fillimin e kampionatit. Fitorja është emëruesi i përbashkët në 27 rastet në të cilat ai është përballur me ndeshjen e tij të parë në një kampionat ku ka drejtuar.
Nga 27 debutime në kampionatet ku ka drejtuar, 21 janë mbyllur me fitore. Gjatë karrierës së tij ai numëron vetëm një humbje në javën e parë. Për herë të parë dhe të fundit ka ndodhur më 31 gusht 2008, kur Bolonja mundi Milanin 1-2 në “San Siro” në ndeshjen që ishte prezantimi zyrtar për tifozët e kuqezinjve i Ronaldinjos.
LA LIGA – Ajo që Reali dhe Ançeloti nisin në “San Mamés” do të jetë sezoni i pestë i italianit në krye të “los blancos” përgjatë dy periudhave të tij. Në katër startet e deritanishme në La Liga ai ka mundur të fitojë gjithnjë me Madridin: 2-1 kundër Betis, 2-0 kundër Kordobës, 1-4 kundër Alaveshit dhe në sezonin e kaluar 1-2 në shtëpinë e Almerias. Kjo mënyrë e fillimit të kampionateve të ligës nuk ka asnjë krahasim mes trajnerëve të mëdhenj me të cilët Karleto ndan rrugën. Ai ka lënë pas figura si Pep Guardiola, Jyrgen Klop, Diego Pablo Simeone dhe Zhoze Murinjo.
DINO BAXHO, ZOLA DHE KIEZA – Hera e parë që Ançeloti drejtoi një ndeshje në ligat kryesore evropiane ishte më 7 shtator 1996, kur ishte vetëm 37 vjeç. Ai e bëri këtë si trajner i Parmës dhe rivali i tij ishte një nga nëntë skuadrat që ka drejtuar, Napoli. Parma fitonte 3-0 me golat e tre lojtarëve yje në Itali në fund të viteve ’90: Dino Baxho, Zola dhe Kieza. Në stol ai kishte një djalë 18- vjeçar, të cilin Nevio Skala e kishte aktivizuar në sezonin 1995-96: Xhanluixhi Bufon.
DEKLARATA – Ndërkaq, Ançeloti ka folur për mediat spanjolle para debutimit në Bilbao. Por shumë gazetarë i kanë kushtuar vëmendje Kilië Mbapesë, për të cilin italiani ka folur në mënyrë të tërthortë, por që është interpretuar si një mbyllje dere. “Dua të flas për lojtarët e mi, jam i kënaqur me grupin që kam. mendoj se dhe kështu siç jemi, kemi një skuadër kompetitive”, deklaroi italiani.
PANORAMASPORT.AL