Dani Karvahal plotësoi në natën e të dielës atë që mund të cilësohet si sezoni perfekt për të. Mbrojtësi i Spanjës siguroi si protagonist kampionatin me Real Madrid e më pas edhe Ligën e Kampioneve, teksa i vendosi pastaj edhe “qershinë mbi tortë” edicionit me fitoren e Euro 2024 me Spanjën.
Normalisht, kjo duhej ta bënte atë një kandidat kryesor për të fituar “Topin e Artë”, pasi një kombinim i tillë trofesh, duke parë rolin që ka luajtur te të tre, është shpesh i mjaftueshëm për të caktuar fituesin e atij çmimi individual. Në historinë e trofeut, vetëm tre mbrojtës e kanë bërë të tyrin më parë. Franc Bekenbauer e siguroi në vitet 1972 dhe 1976, Matias Zamer në 1996 dhe Fabio Kanavaro në 2006.
Karvahal aspiron që të jetë i katërti, por ndoshta, këto suksese nuk do të mjaftojnë dhe atë do ta ndjekë “mallkimi i Iniestës”. U quajt kështu në vitin 2010, kur futbollisti spanjoll fitoi La Liga me Barcelonën dhe ishte protagonist i fitores së Spanjës në Botërorin e atij viti, duke shënuar golin e suksesit në finale përballë Holandës. Por nuk mjaftoi, pasi në fund “Topi i Artë” i shkoi Mesit, edhe pse nuk kishte shkëlqyer me përfaqësuesen e vendit të tij atë vit.
Ky është edhe problemi që ka Karvahal, teksa rrezikon që të shohë shokë skuadre si Bellingam apo Vinicius, që jo vetëm të renditen para tij në klasifikimin e “Topit të Artë’, por edhe të jenë emrat kryesorë për ta fituar atë, ndonëse mbrojtësi spanjoll është ai me bilancin më të mirë të këtij viti në trofetë e fituar.
PANORAMASPORT.AL