Reali i Madridit ka kaluar me sukses pengesën e radhës në La Liga, duke mundur Selta Vigon 3-2. Që do të thotë se “Los Blancos” do të shkojnë të luajnë në Barcelonë fatin e tyre për titullin kampion. Një sukses në Barcelonës do t’i bënte flakë tri javët e mbetura.
Dhe kjo është llogaria që bën trajneri Ançeloti. Duke folur pas suksesit të vuajtur ndaj Seltës, trajneri italian vlerësoi fitoren, por nuk harroi të nënvizonte se titulli në La Liga është në dorën e Barcelonës me 360 minuta ende për t’u luajtur.
“Clásico” – “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, vendimtare, ose pothuajse. Nëse fitojmë, do të bëjmë një hap të rëndësishëm, por duhet ta pranojmë se La Liga është në duart e Barcelonës. Ne gjithsesi do të luftojmë për të”.
Barcelona e pamundur – “Finalja në Sevilje ishte shumë konkurruese. Nuk kemi pse të shpikim shumë gjëra. Duhet të jemi seriozë. Do të hyjmë me gjithë besimin në botë”.
Mbape – “Ai ka bërë një ndeshje e shkëlqyer. Nëse luan në këtë nivel, mendoj se do të jetë vendimtar në Barcelonë”.
Vuajtjet me Seltën – “Ndeshja dukej se kishte mbaruar. Mund të kishim shënuar golin e katërt me anë të Arda Gyler. Asencio nuk mundi të duronte më, e zëvendësuam dhe vuajtëm. Është e vërtetë që mund ta kishim përballuar më mirë pjesën e fundit të takimit”.
Arda Gyler – “Përparimi i tij është i dukshëm. Ai ka cilësi dhe falë punës së palodhur është këtu. Gyleri i shtatorit nuk është Gyleri i sotëm. Ai ka ndryshuar shumë fizikisht, falë punës dhe përpjekjeve të tij. Unë kam përgjegjësinë të menaxhoj atë që është më e mira për skuadrën, jo vetëm për një lojtar. Kjo ndikon te disa më shumë se te të tjerët. Këtu duhet të ulesh në stol për të qenë titullar. Ai do të bëjë më mirë vitin tjetër. Ai ka profilin për të qenë titullar. Stolin e ka pritur mirë, ai nuk e ka përballuar keq. Dy muaj më parë i godita fort njerëzit përreth tij, tani duhet t’i përgëzoj”.
Bellingam-Vincius – “Në kundërsulmin e fundit, nuk ishte se Xhud nuk donte të pasonte, por ishte shumë i lodhur”.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL