Xherdan Shaqiri ka qenë futbollist i Bajern Mynih dhe Interit gjatë karrierës së tij dhe sot do të jetë një tifoz i veçantë për të dy skuadrat. Më një intervistë për ”Gazzetta Dello Sport”, ai ka folur për këtë sfidë dhe etapat e karrierës së tij në këto skuadra që kanë objektiv fitoren e trofeut.
A mendoni se Interi mund të fitojë vërtet të tre trofetë?
Shumë e vështirë, por jo e pamundur. Për të arritur një objektiv të tillë duhet një sezon perfekt dhe sigurisht edhe një dozë e mirë fati. Por Interi ka një ekip shumë të mirë dhe një shpirt të mirë ekipi, sigurisht që nuk mund të përjashtohet si mundësi.
Folët për fatin, Bajerni do të ketë gjysmën e ekipit të dëmtuar…
Është diçka që sigurisht mund të ketë një ndikim, veçanërisht sepse mbrojtja e bavarezëve ishte e ndërtuar mirë. Por Bajern gjithashtu ka shumë cilësi në stol. Le të themi se mungesat mund, por nuk duhet të kenë ndikim.
Ju fituat “Triplete” në sezonin e parë në Gjermani. Kujtimi më i mirë?
Ishte gjithçka e pabesueshme. Ne u ndjemë të pandalshëm dhe fjalë për fjalë marshuam në të gjitha kompeticionet. Ai ekip kishte vetëbesim të jashtëzakonshëm, ne e dinim se mund të mposhtnim këdo. Luajtëm në një mënyrë dominuese dhe nuk kishim pse të frikësoheshim nga askush. Në atë kohë unë isha mik shumë i mirë me Riberi, ai është vërtetë tip simpatik. Ia kaluam mirë në fushë dhe jashtë saj.
Dhe në fakt Bajerni juaj mposhti Barcelonën me rezultatin e përgjithshëm 7-0 në gjysmëfinale… çfarë duhet për të fituar gjithçka?
Gjëja më e rëndësishme është të kesh një skuadër të madhe me shumë cilësi. Dhe vetë skuadra duhet të jetë vërtet një ekip. Një ekip në të cilin të gjithë japin 1000% për tjetrin, të gjithë rreshtohen në të njëjtin drejtim në situata të vështira dhe mbështesin njëri-tjetrin. Duhet të jesh një njësi e pathyeshme.
Ndërsa te Interi, e filluat fuqishëm, por më pas gjërat nuk shkuan mirë. Çfarë nuk funksionoi?
Ishte një periudhë e turbullt për të gjithë klubin. Shumë lojtarë kishin ardhur në huazim dhe Fair Play Financiar pati një ndikim të madh. Ishte një kohë e komplikuar në përgjithësi, jo vetëm për mua. Në fillim gjërat shkuan mirë, por me kalimin e kohës vështirësitë u shtuan. Pavarësisht gjithçkaje, u argëtova shumë te Interi. Është një përvojë që do ta përsërisja.
Mbërritët falë Mançinit…
Një trajner i madh, edhe pse në kohën time skuadra nuk ishte ndërtuar në mënyrën optimale.
Po Inzagi a ju pëlqen?
Duke e parë atë nga larg, unë e perceptoj atë si një trajner shumë aktiv dhe prezent, i cili po e bën punën e tij shumë mirë. Ai stërvit në mënyrë konkrete, ai i motivon lojtarët e tij pikërisht në vijnë e fushës. Për mua, nuk është surprizë që e shoh Interin ku gjendet sot.
PANORAMASPORT.AL