Kur në verën e vitit 2022, Khvicha Kvaratskhelia zbarkoi në Serie A, ai dukej si një “alien”, falë talentit dhe lojës që bëri menjëherë për vete tifozët e Napolit, duke kontribuar edhe në fitimin e një titulli të paharrueshëm.
Sot, emri Kvaratskhelia rikthehet në qendër të vëmendjes, sepse një tjetër “Kvara” është tashmë i lidhur me një klub të Serie A, por jo me Napolin. Bëhet fjalë për Interin dhe vëllain e tij më të vogël, Tornike Kvaratskhelia.
Tornike ka mbushur 16 vjeç më 7 shkurt dhe për rolin në fushë, lëvizjet dhe profilin futbollistik i ngjan shumë vëllait të madh, edhe pse Khvicha është 9 vite më i madh. Ai është një sulmues krahu që nis nga e majta për t’u futur në qendër dhe përdor lehtësisht të dyja këmbët.
Është ende herët për krahasime në nivel arritjesh, por videot e tij tregojnë lëvizje që kujtojnë talentin që mahniti Napolin. Tornike luan aktualisht tek Inter Academy Georgia, marrëveshja e së cilës me klubin zikaltër zgjat deri në vitin 2029. Interi synon ta sjellë në Itali nëse kushtet bëhen të favorshme.