Teksa përgatitej të sfidonte Italinë në Europianin për 21- vjeçaë, Pier Kalulu ka përfituar për të dhënë një intervistë për revistën franceze “Onze”.Të shumta tematikat, sidomos ato në lidhje me Milanin për të cilat mbrojtësit nuk është kursyer.
Çfarë ju kujtohet nga Sasuolo-Milan e vitit të kaluar dhe a kishit frikë?
Frikë jo, por adrenalina ishte e madhe. Siç është para çdo ndeshjeje në fakt. Sidoqoftë, e dinim se sa fort dhe mirë kishim punuar dhe mund të them se në përgjithësi ishim të qetë. Tensionin e zakonshëm sikur e hoqëm me dorë.
Si ka qenë zbarkimi juaj në Serinë A?
Te Milani mbërrita si një lojtar, i cili nuk kishte luajtur kurrë si profesionist dhe kisha shumë kohë pa luajtur prej pandemisë. Në momentin e firmës kisha të paktën gjashtë muaj pa luajtur, por nuk e vuaja presionin apo faktin se kisha mbërritur falas. E pashë si një mundësi për të luajtur futboll.
Dhe u rritët së bashku me Milanin…
Në Itali jam përmirësuar në shumë aspekte. Jam më i fortë, më i shpejtë dhe më i qetë në mendje. Çdo lëvizje në fushë më vjen më e natyrshme. Sidoqoftë, jam ende i ri dhe mund të përmirësohem në shumë aspekte, sidomos në leximin e ndeshjeve.
Cili është roli i preferuar?
E mira është që të mbuloj sa më shumë pozicione. Për të qenë titullar në një klub të madh duhet të dish të plotësosh nevojat e skuadrës. Përpiqem të jem agresiv në të dyja fazat e sidomos në duelet ajrore. Këto janë aspekte që bëjnë diferencën dhe jo roli.
Si e shikoni Milanin pa Maldinin?
Mua më ka ndihmuar pafund. Më bëri të kuptoj se sa vlerë ka futbolli në Itali. Tifozët janë të pasionuar dhe dashuria e tyre ndjehet. Sidomos në ikona si Maldini, të cilin e brohorisnin më shumë nga të gjithë edhe pse e ka lënë futbollin pra shumë vitesh. Pavarësisht gjithçkaje mbetet një personazh i jashtëzakonshëm.
PANORAMASPORT.AL