Federata Gjermane e Futbollit prezantoi Julian Nagelsmanin në pankinën e kampionëve të 4- fishtë në rangun e Botërorëve. Në prononcimin e parë Nagelsman u pyet rreth një sërë çështjesh, aty ku më të rëndësishmet kishin të bënin me qëllimin në “Euro 2024”, stili i lojës, prezenca e Nojerit në kombëtare, kushtet e kontratës e kapiteni i ri.
SYNIMI- “Ne dëshirojmë të prezantojmë veten sa më mirë në Kampionatin Europian, për më tepër që do të luhet në shtëpinë tonë. E konsideroj si sfidë tepër të madhe dhe përgjegjësi. Unë së bashku me ekipin duam të frymëzojmë popullin tonë me futboll rezultativ dhe të bukur për sytë.
Zhvillimi i një turneu kaq madhor nuk ndodh shpesh në shtëpi, prandaj ky është një motiv shtesë në dhënien e më të mirës. S’jam aspak nervoz, sepse kam besim te grupi dhe stafi teknik. E konsideroj privilegj të jesh trajner i kombëtares që pret kompeticionin më të rëndësishëm në Europë. Takimi me Francën dha nxitje pozitive. Do të bëjmë gjithçka në rikthimin e identitetit”, tha Nagelsman.
LOJA- ”Ne kemi një ide të qartë, e cila përshkruhet si agresive deri në portën kundërshtare. Ajo nuk ekzekutohet vetëm kur e ke topin në kontroll. Krijimi i stresit ndaj kundërshtarit ia bën tepër të vështirë ritmin normal. Ama i bindur se çdo kundërshtar që do të na sfidojë do të ndieje dhimbje. Kontingjenti ka nevojë të zgjohet pas periudhës jo të mirë. Me kalimin e kohës stili ynë do të rafinohet dhe do të bëhet pjesë e secilit lojtar që do djersijë fanellën e Gjermanisë. Mezi po pres të nis sa më parë punën.
Kampionati Europian do kohë dhe do të na japë mundësi të vihen në praktikë gradualisht. Lojtarëve nuk duhet t’u mungojë forma në klubet që inkuadrohen. Ndjenja se mund t’ia dalësh dhe atmosfera pozitive të shtyjnë drejt limiteve, dhe këtë pres nga futbollistët e tifozëria. E di se do të jenë prezente edhe momente të pakëndshme, por i rëndësishëm është besimi tek objektivi. Përmirësimet do t’i shikoni që në dy testet e muajit shtator. Kemi idetë e kthjellëta se si të ringjallim besimin. Potenciali në gjirin tonë është mbresëlënës”.
KAPITENI- ”Absolutisht i bindur se Ilkai Gyndoan është i duhuri. Tashmë e kam informuar se ai do të mbajë këtë profil. Sezonin e kaluar shkëlqeu me Sitin dhe etapa pozitive në Barcelonë janë tabloja më e mirë përse duhet t’i besojmë eksperiencës së mesfushorit 32-vjeçar”, shtoi ish-trajneri i Bajernit në periudhën qershor 2021-mars 2023. Edhe pse Joshua Kimish mbajti shiritin e liderit te “pancerat” përpara testeve në muajin shtator, si pasojë e mungesës së Nojerit dhe Mylerit, as Juliani nuk e riktheu 28-vjeçarin. Joshua ishte lojtari më i prekur pas shkarkimit të Nagelsmanit, por duket që në fillim se “qokat” nuk janë në “menynë” e teknikut 36-vjeçar.
ÇËSHTJA “NOJER”- ”Fillimisht t’i japim kohën e nevojshme Nojerit të rikuperohet plotësisht. Nëse ai do të jetë i gatshëm në muajin tetor, atëherë do ta studiojmë si opsion. Nuk mund të flas më shumë, aq më tepër kur nuk di shkallën e problemit që Manueli ka”, vijoi trajneri më i ri i Gjermanisë.
LOJTARËT E BAJERNIT- ”Pres me padurim t’i takoj ata dhe gjithë pjesën tjetër që do të jenë me ne. Kam kaluar momente të veçanta me futbollistët që luajnë në Mynih, por do të jetë emocionuese të stërvis edhe lojtarë që nuk i kam trajnuar më parë”.
PAS SHKARKIMIT- ”Shkova me pushime, kalova kohën me familjet time. Javët e para ishin të pazakonta. Jam person që më pëlqen të punoj dhe kjo ndjesi më mungoi. Kam reflektuar edhe rreth eksperiencës te Bajerni. Ju siguroj se nuk do të përsëris gabimet që kam bërë në Mynih”.
AFATI I KONTRATËS- ”I rëndësishëm është fokusi drejt ‘Euro 2024’. Të luajmë turne pozitivë dhe t’u rikthejmë buzëqeshjen tifozëve. Së dyti, dua të përçoj ndjenjën e besimit te grupi. Puna nuk realizohet në varësi të kontratës, por objektivave dhe përkushtimit. Bashkëpunimi si një familje ka për të dhënë rezultatet e dëshiruara dhe ne këtë duam të arrijmë”, pohoi me nota optimiste ish-trajneri i Lajpcigut.
UDHËTIMI NË SHBA- ”Kombëtarja ka efektin që nuk mund të qëndrosh për një kohë të gjatë me grupin, ndryshe nga sa ndodh në ekipe. I njoh lojtarët, ndonëse nuk i kam takuar personalisht të gjithë. Shpresoj dhe uroj se grupi do të jetë i padëmtuar nga lëndimet në këtë hapësirë 1-mujore, pra deri në dy miqësoret e radhës, aty ku do të fillojmë edhe zyrtarisht punën”. Përfaqësuesja e Gjermanisë në muajin tetor do të ballafaqohet me SHBA-në në datën 14 dhe do të pasohet nga dueli me Meksikën 4 ditë më vonë”.
DISKUTIMET ME FEDERATËN- ”S’ishte e vështirë. Të dyja palët e gjetën gjuhën e përbashkët shumë shpejt. Nëse më pëlqen propozimi jam i hapur dhe këtë bëra me federatën kur u diskutua. Shpresoj se gjithçka do të shkojë ashtu siç e kam planifikuar”, theksoi i emocionuar “timonieri” gjerman.
STAFI I TRAJNERËVE- ”Rudi Fëler e shikoi si pjesë thelbësore në rrugëtimin që kemi nisur. Gëzojmë marrëdhënie të ngushtë dhe besoj se do të jetë e tillë përgjatë këtij rrugëtimi. Ai ka ndikim pozitiv në grup dhe do të japë dobi. Sandro Vagner po ashtu do të jete pjesë jona. E konsideroj si një person jashtëzakonisht inteligjent. Benjamin Glyk do të integrohet në vijim me stafin e trajnerëve”, përfundoi Julian Nagelsman.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL