Duhet të ishte ndeshja e titullit kampion, sfida që do të drejtonte kampionatin dhe të tregonte kush do të ishte “pronari”. Në fakt, Napoli-Inter nuk ishte asgjë nga kjo.
Barazimi e la klasifikimin ashtu siç ishte, ku për më tepër Atalanta nuk përfitoi duke barazuar vetë me Venecian. Por sigurisht që dueli mes Kontes dhe Inzagit diçka e tha, ndonjë përgjigje, edhe pse jo pozitive, e dha. Ka konfirmuar për shembull që aty në pjesën e sipërme të tabelës asnjë ekip nuk është mirë. As ekipi kryesues dhe as skuadrat që e ndien. Edhe pse, për të thënë të vërtetën, Napoli ka dhënë një mesazh të qartë në krahasim me rivalët, të paktën në nivelin e të qenit të uritur.
PROBLEMET- Numrat dhe rezultatet evidentojnë qartë problemet që kanë skuadrat e kreut. Le të marrim 5 ndeshjet e fundit për të kuptuar si janë ato. Interi ka arritur që të marrë vetëm 7 pikë, një bilanc aspak pozitiv për kryesuesin që ka humbur 2 ndeshje. Por Napoli nuk ia doli që të bënte më mirë. Skuadra e Kontes e kaloi të gjithë shkurtin dhe fillimin e marsit pa fituar. Suksesi i fundit është më 25 janar kundër Juventusit.
Edhe Atalanta që dukej se po fitonte terren nuk ka vazhdimësi. Fiton 5-0 me Veronën, 0-0 me Kaljarin, 5-0 me Empolin, 0-0 me Venecian. Ose gjithçka ose asgjë. Një karakteristikë e skuadrave të pamaturuara. Napoli dhe Interi arritën në duelin direkt me probleme të shumta. Angisa dhe Neresh mungonin. Inzagit i mungonte titullari Zomer dhe lojtarët e krahëve. Për një skuadër që i “shtrydh” lojtarët e krahëve është një problem i madh. Çalhanoglu dhe Turam nuk e kanë marrë veten kurrë nga dëmtimet. Edhe Mkitarian nuk është ai i sezonit të kaluar dhe Lautaro është pa vazhdimësi.
MË MIRË KONTE- Problemet e Interit u shfaqën përballë një Napoli që për shumë të tjerë ishte surprizues. Nuk pritej kaq shumë intensiv dhe me vazhdimësi. E sulmoi Interin që nga fillimi dhe nuk e lejoi që të dilte në lojë. Madje nuk u dorëzua edhe kur kaloi në disavantazh me goditjen magjike të Dimarkos. Barazimi në minutën e 87- të i lë të gjithë thuajse të mërzitur: Interin, sepse ishte afër tri pikëve dhe Napolin, që ishte në tërësi superior në ndeshje.
Mes numrave të shumtë të ndeshjes, duhet të evidentojmë një: të ndëshkuarit me të verdhë. Asnjë karton. Në një ndeshje me kaq shumë nervozizëm dhe me shumë intensitet e shumë fizike, askush nuk e ka kaluar limitin. Gjithmonë me ndershëmri. Më mirë kështu.
E ARDHMJA- Po tani çfarë ndodh përpara? Kush e parashikon është një magjistar. Interi ka organikën më të mirë dhe mbetet skuadra favorite për titullin. Por ka lojtarë jashtë forme dhe shumë ndeshje në krahasim me ata që e ndjekin. Për momentin janë 4 ndeshje, 2 në Champions dhe 2 në Kupën e Italisë. Mund të bëhen edhe më shumë. Napoli ka rikuperuar besimin, por tani duhet të gjejë fitoren. Atalanta ka një kalendar të vështirë me Juven, Interin, Fiorentinën, Lacion, Bolonjën dhe Milanin. Ata që shohin kalendarin dhe klasifikimin shohin edhe një rikthim të Juves për titull. Por fundi i kampionatit që na pret, është spektakolar.
PANORAMASPORT.AL