Nuk ka nisur mirë për atletët shqiptarë, Kampionati Europian i Atletikës, i cili po zhvillohet në Birmingam të Anglisë, i cili po transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1 dhe RTSH Sport.
Franko Burraj në 400 metra dhe Markelin Mema në hedhjen e çekiçit nuk kanë siguruar kualifikimin për në fazat e tjera të disiplinave të tyre.
Në konkurrimin e tij, rekordmeni shqiptar i 400 metrave, garoi në baterinë e tretë kualifikuese, të hënën, duke dhënë kohën 46“96, një rezultat shumë larg pritshmërie, që e renditi të fundit në bateri. Kujtojmë që koha e tij më e mirë është 45“85.
Ndërkohë që në hedhjen e çekiçit, edhe Markelin Mema, u rendit në vendin e 14-të, duke mos arritur të hyjë në 12-shen kualifikuese.
Kampionati EUropian i Atletikës, edicioni i 27-të i tij, zhvillohet nga data 10-16 gusht, në pistën dhe pedanat e stadiumit Alexander Stadium, si dhe në rrugët e qytetit britanik, ku do të konkurrohet në disiplinat e maratonave. Në këtë edicion do të jepen 50 tituj, 48 të ndarë midis meshkujve dhe femrave dhe 2 në stafetat mikse, 4x100m e 4x400m.