Ylli i dytë që do të qën diset mbi ngjyrat zikaltër dhe një bllok i rëndësishëm për të vazhduar ecurinë e suksesit edhe në kombëtaren italiane. Në Interin që po feston titullin e 20-të kampion në histori ka një shpirt italian të formuar nga gjashtë elementë, që pasi rezultuan shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë në ecurinë e zikaltërve tani kërkojnë që të jenë të tillë edhe në Europianin e Gjermanisë me fanellën axurre.
Françesko Açerbi, Alesandro Bastoni, Nikolo Barela dhe Federiko Dimarko janë lojtarë të padiskutueshëm në skuadrën fituese të ndërtuar nga Simone Inzagi, përveçse lojtarë të vlefshëm për kombëtaren që nga koha e Mançinit. Mateo Darmian dhe Davide Fratezi janë rezerva luksi, por që gjithmonë kanë dhënë kontributin e tyre sa herë është dashur për skuadrën. Sigurisht që edhe ata e meritojnë një vend patjetër në listën e Europianit. Automatizma loje entuziazëm dhe cilësi. Blloku interist mund të sjellë shumë gjëra pozitive për ekipin e Spaletit që kërkon të konfirmohet edhe një herë tjetër pas triumfit në vitin 2021.
Një grup lojtarësh që u konsoliduan dhe u përmirësuan drejt perfeksionit në Milano nga një rrugëtim i nisur me Antonio Konten dhe i vazhduar me Inzagin. Nga këta lojtarë, 3 prej tyre e kanë shijuar suksesin e Europianit të vitit 2021 me Mançinin. Açerbi në atë kohë ishte me Lacion, ndërsa Bastoni dhe Barela fituan titullin kampion me Konten. Nga ajo ditë ka kaluar shumë kohë. Sot janë 6 italianë që presin me padurim grumbullimin nga trajneri, ku 4 prej tyre kanë shpresa të mëdha për të qenë titullarët fiks në Europian.
6 LOJTARËT- Nikolo Barela është një nga liderët e grupit të Interit dhe e ka treguar edhe në daljet e para me shiritin e kapitenit këtë sezon. Është një element kyç në lojën e zikaltërve, që ka dhënë kontribut si në titullin e 19-të ashtu edhe në të 20-in. Sot është më i pjekur dhe më i përmirësuar, duke u shndërruar në një mesfushor modern. Edhe me Italinë ka marrë shiritin e kapitenit në miqësoret e kaluara dhe Spaleti pret shumë prej tij. Zemër dhe mushkëri për mesfushën italiane. Kur kanë dështuar Çalhanoglu dhe Mkitarian ai ka qenë motori për të udhëhequr ekipin.
Një element tjetër i rëndësishëm është Alesandro Bastoni. E tashmja dhe e ardhmja e mbrojtjes zikaltër. Për këtë arsye është i paprekshëm për ekipin deri në vitin 2028. Bastoni është lojtari që shpeshherë me topin në këmbë thyen linjat e presingut të kundërshtarit dhe shtyn me forcë përpara. Katër asiste në këtë sezon, jo keq për një qendërmbrojtës. Mund të luajë pa frikë si në linjën me 3 ashtu edhe me 4, prandaj me Spaletin pritet titullar i padiskutueshëm. Açerbi që duhet të ishte thjesht një rezervë luksi është shndërruar në një lider dhe pikë e rëndësishme e formacionit zikaltër. 36-vjeçari i ka marrë vendin De Vrajt dhe nuk e lëshoi kurrë. Në harkun e një viti e gjysmë ka ndalur çdo sulmues që ka provuar të shkojë në portën e Interit. Spaleti do t’i besojë një fanellë titullari me shumë mundësi.
Federiko Dimarko që është simbol i interizmit kërkon të bëhet edhe i Italisë. Një mbrojtës i fortë dhe potent që kërkon të furnizojë me topa të rrezikshëm sulmuesin e Italisë, kushdo qoftë ai. Ka shënuar gola spektakolarë dhe do të provojë t’i bëjë me fanellën e kombëtares. Dy të tjerët që duan patjetër të jenë në Europian janë Darmian dhe Fratezi. Ky i fundit është një lojtar i vlerësuar maksimalisht nga trajneri Spaleti, ndërsa Darmian mund të marrë ftesë për faktin që luan si në qendër me 3 ashtu edhe në krah. Aty ku vendin e titullarit e ka Di Lorenco, por blloku zikaltër është gati të udhëheqë edhe Italinë. Kujtojmë që Italia luan në një grup me Kombëtaren shqiptare, Spanjën dhe Kroacinë, një nga grupet e hekurta të Europianit.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL