Kandidati për president i Real-it, Enrique Riquelme, ka qenë protagonist i një interviste të fortë të dhënë për podcast-in “The Wild Project” të Jordi Wild.
Në njërin prej podcast-eve më të famshëm të Spanjës, Riquelme ka hedhur hije të forta dyshimi sa i përket mënyrës se si po drejton aktualisht Real-in, Florentino Pérez.
“Të gjithë ne duam që të dimë se kush është Anas Laghrari (krahu i djathtë i Florentino Pérez). Ky person nuk figuron në organigramën e klubit, por merr të gjitha vendimet në këtë shoqëri. Ai ka fuqi të plotë në klub. Ai mban lidhjet me fondet e ndryshme, me lojtarët me ortakët, merret me blerjet bën gjithçka, por s’ka post në klub”, akuzoi Riquelme.
“Me kompaninë e tij presonale ‘Key Capital Partners’ së bashku me 9 të tjerat që zotëron i faturon gjithçka Real-it. Ka gisht në projektin e ‘Superleague’ sepse ka aksione me kompaninë që krijoi këtë ligë të re, ‘A22 Sports Management’”, tha Riquelme.
Mes të tjerash 37-vjeçari nuk fshehu edhe dëshirën e tij të madhe. “Dëshiroj të shikoj Barcelonën në Secunda Division (kategoria e dytë). Do të ishte diçka spektakolare. Nuk do të ishte një problem për mua nëse ata do të zbrisnin një kategori më poshtë. Kjo që them nuk mund të konsiderohet si mungesë respekti”, tha spanjolli.