Ishte 23 janar 2016… Reali i Madridit jetonte mes problemeve e dyshimeve. Javë më parë, Rafa Benítez ishte shkarkuar dhe ardhja e Zinedin Zidan shtoi edhe më shumë pikëpyetjet. Por pikërisht, atë muaj filloi një transformim që do ta çonte Madridin të luftonte për Ligën deri në fund, megjithëse nuk do ta fitonte atë, të fitonte Champions League në Milano për të hapur një cikël tresh me radhë.Sulmi i asaj skuadre ishte versioni më i mirë i tredhëmbëshit të formuar nga Kristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Garet Bejl. Fuqia e tij sulmuese u përkthye për skuadrën në 60 gola, një shifër që ishte fare pak poshtë 63 golave në 23 janar 2015. Treshja e sulmit të Realit e pagëzuar si “BBC” po jetonte momentet e saj më të mira, ishte fytyra e një ekipi shkatërrues.
Nuk kishte asgjë që vinte në dyshim të tre të mësipërmit, të cilët “ZZ” i etiketoi “të paprekshëm”. Që atëherë, Reali i Madridit nuk ka pasur një treshe golashënuese të atij kalibri, sepse shifrat në të cilat endej “BBC”-ja ishin të jashtëzakonshme në një kohë kur Barcelona ishte plot muskuj nga ana tjetër me “MSN”-në e saj: Mesin, Luis Suarez dhe Nejmar (69 gola deri më 23 janar 2016). Ishin kohë figurash që kufizoheshin me absurdin. Ende larg asaj BBC-je, e cila përfundoi sezonin 2015- 2016 me 98 gola nga 141 gola të shënuar nga Madridi (69%) 51 nga të cilat me firmën e K(C)ristianos, skuadra e bardhë aktualisht ka me Vinicius-Mbape-Rodrigo treshen më të mirë shënues që atëherë. Ndeshja kundër Salzburgut tregoi versionin më të mirë të linjës sulmuese të Madridit, që ka si një partner të jashtëzakonshëm Bellingam. Ishte ndeshja e tretë në të cilën të tre shënuan në të njëjtën ndeshje.
LIGA – Hera e parë që tre sulmuesit kryesorë të Ançelotit shënuan në të njëjtën ndeshje ishte më 21 shtator 2024. Pasi Karvajal barazoi duelin kundër Espanjolit në “Bernabéu”, golat e Rodrigos, Vinicius dhe Mbapesë përmbysën gjithçka në 4-1. Treshes së sulmit, mes dëmtimeve dhe rënies së formës, iu desh pak kohë për t’u rikthyer së bashku si golashënues. U desh të pritej deri në finalen e Kupës Interkontinentale. Më 18 dhjetor në Doha kundër Paçukës, Mbape hapi rrugën drejt titullit, Vinicius e “sqaroi” dhe Rodrigo i vuri vulën.
CHAMPIONS – Debutimi i treshes Vinicius, Mbape e Rodrigo në Champions League erdhi kundër Salzburgut dhe në versionin më të mirë të partneritetit të tyre. Përpara ishte Rodrigo, shënuesi i dy golave të parë dhe që është në versionin e tij më të mirë të sezonit. Futbolli i tij dhe golat e tij po fitojnë përsëri terren pas debatit të krijuar nëse është një ide e mirë që Madridi të luajë me treshen përpara dhe Bellingamin pas. “Më pëlqen të luaj me Xhud” tha braziliani, pasi anglezi e asistoi atë në golin e 2-0 kundër austriakëve. Rodrigo ka 11 gola, një më pak se në këtë pikë sezonin e kaluar, por tre më shumë se në sezonin 2021-2022 kur ai vendosi rekordin e tij më të mirë me Madridin me 19 gola. Momenti i Mbapesë i ka rritur figurën për ta veshur atë si liderin e skuadrës. Francezi mbjell panik te rivalët e tij dhe i ka të përkushtuar shokët e skuadrës.
“Askush nuk i vendos ndeshjet si Kilië”, tha Sebajos pas golave të francezit kundër Las Palmas. “Ne të gjithë do të punojmë për ta bërë atë Pichichi (golashënuesi më i mirë në La Liga)”, tha Vinicius pas fitores ndaj Salzburgut. Ndërkohë, Vinicius e ka bërë Ligën e Kampioneve si kopshtin e tij të preferuar. Golashënues në dy finale, ai tashmë ka barazuar rekordin e tij më të mirë të shënimit në kompeticion. Dygolëshi i shënuar kundër Salzburgut e çon sezonin e tij në shtatë në këtë Ligë të Kampionëve, të njëjtin numër që arriti gjatë gjithë sezonit 2022-2023. Për ta tejkaluar këtë shifër do t’i duhet të presë “play off”-et, pasi kartoni i verdhë që mori ndaj austriakëve e bën të mungojë kundër Brestit. Tani për tani, të dhënat e “BBC”-së mbeten të paarritshme. Në sezonin e tyre të parë së bashku, Kristiano, Benzema dhe Bejl më 24 janar 2014, shënuan 55 gola (31, 14 dhe 10). Tredhëmbëshi aktual ka shënuar 47. Ata kanë edhe mbështetjen e Bellingam (nëntë gola). “BBC”-ja kishte 16 gola nga pas: tetë nga Di María dhe tetë nga Isko.LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL