Ndeshja e Eredivisie mes Ajaxit dhe Groningenit u kthye në një skenë kaotike dhe të paprecedent, duke zgjatur vetëm 7 minuta lojë përpara se arbitri Bas Nijhuis të ndalonte gjithçka për shkak të sjelljes së rrezikshme të tifozëve vendas. Pas një ndërprerjeje prej pothuajse 40 minutash, takimi u pezullua përfundimisht dhe do të luhet të martën, më 2 dhjetor, në orën 14:30, pa tifozë, duke nisur nga minuta e 7-të dhe rezultati 0-0.
Tensioni nisi që para fillimit të ndeshjes, ndërsa brenda pak minutash situata shpërtheu totalisht. Nga tribunat e tifozëve të Ajax-it u hodhën në fushë sende te forta, lëndë plasëse dhe fishekzjarrë, duke i detyruar lojtarët e të dy ekipeve të largoheshin me vrap drejt dhomave të zhveshjes.
Fusha u mbush me tym, ndërsa pamundësia për të parë dhe frika për incidente të tjera detyruan arbitrin që të vendoste për ndërprerjen e gjatë.
Arbitri Bas Nijhuis shprehu hapur revoltën e tij për atë që po ndodhte:
“Ndala gjithçka sepse nuk dua të mbaj përgjegjësi për këtë situatë. Po hidheshin lëndë plasëse në fushë, kjo nuk ka të bëjë fare me sportin.”
Ai shtoi se rikthimi në fushë nuk ishte i sigurt dhe se çdo përpjekje për të rinisur lojën rrezikonte incidente të reja.
Pas analizës së situatës, ai mori vendimin përfundimtar:
“Nuk dua të marr këtë përgjegjësi. Nuk është e sigurt.”
Vetëm një minutë më pas, speakeri i stadiumit njoftoi zyrtarisht pezullimin e ndeshjes.
https://www.facebook.com/share/v/17n7jqXo8v/
Pse shpërthyen tifozët e Ajaxit? Jo për rezultatet, por për një tifoz të ndjerë
Sipas grupimit më ekstrem të tifozëve, incidentet nuk kishin lidhje me rezultatet e dobëta të Ajax-it këtë sezon, as në kampionat e as në Champions League.
Ata pretenduan se skena kaotike u krijua për të nderuar një mik të tyre, tifoz 29-vjeçar, i cili humbi jetën së fundmi në një aksident me varkë.
Arbitri Nijhuis pranoi se kishte frikë se në minutën e 29-të, gjatë homazheve, situata do të përsëritej me intensitet edhe më të madh.
Reagimi i Ajax-it: Masat tona nuk ishin të mjaftueshme
Klubi i Ajaxit doli menjëherë me një reagim zyrtar:
“Ndihemi të turpëruar dhe distancohemi plotësisht nga kjo sjellje. E dinim që një tifoz shumë i njohur kishte humbur jetën dhe morëm masa shtesë, por duket se nuk kanë qenë të mjaftueshme. Tashmë do të analizojmë pamjet dhe do të marrim masat e duhura.”
Ndeshja do të luhet pa tifozë
Ajax–Groningen do të rinisë të martën në një ‘Cruijff Arena’ bosh, ndërsa klubi dhe federata holandeze pritet të njoftojnë masa të mëtejshme disiplinore pas hetimeve.


