Fabio Kapelo ka analizuar startin e sezonit për Interin duke thënë se tani në fillim gjithçka mund të ndodhë. Ish-trajneri italian është i bindur se liderët e skuadrës duhet të gjejnë sa më shpejt formën dhe të jenë të uritur për të tentuar ta rifitojnë titullin kampion.
Kapelo, çfarë do të thotë për ju barazimi 2-2 në Marassi për Interin?
Le ta nisim nga diçka krejt normale: Në një kampionat të gjatë me 38 javë, impresioni që të japin javët e para nuk vlejnë shumë. Nuk janë ato që realisht vlejnë. Thënë këtë, unë të shtunën në mbrëmje kam parë vetëm 1 lojtar në lartësinë e Interit kampion: Markus Turamin dhe më befasoi. Shokët e tjerë të skuadrës ishin larg ritmit dhe agresivitetit të skuadrës që dominoi kampionatin vitin e kaluar. Sigurisht që i duhet pak kohë që të rikthehet. Për mendimin tim, Lautaro, Barela dhe Çalhanoglu duhet të rikthehen të jenë të uritur. Janë 3 lojtarët kryesorë të skuadrës.
A duhet të shqetësohet Inzagi?
Në fillim të sezonit ka shumë faktorë që ndikojnë: Kondicioni fizik, Lautaro që ka ardhur me vonesë dhe nuk ka pushuar kurrë, Çalhanoglu që ka bërë Europian të mirë duke arritur deri në çerekfinale. Sigurisht që nuk mund të jenë brilantë. Tani duhet një tjetër rrugëtim.
Pra faktin që janë të fortë duhet ta tregojnë në fushë?
Pikërisht kështu. Fokusi duhet të jetë një dhe i vetë: Lautaro me shokë duhet të kuptojnë që ai titull në fanellë duhet mbrojtur sepse të tjerët do të luftojnë për ta rrëmbyer. Unë e kam provuar vetë, që të rifitosh titullin kampion në Itali nuk është shumë e lehtë.
Inzagi ka thënë: Vitin e kaluar për të na shënuar gol, kundërshtarët duhet të vuajnë shumë. Në Xhenova i dhuruam 2 gola. Çfarë ndodhi?
Nëse shohim golat më shumë bëhet fjalë për gabime individuale. Një ishte vlerësim i gabuar i Zomerit dhe tjetri një gabim foshnjarak i Bisekut. Interit i mungoi dëshira për t’u sakrifikuar në fushën e lojës. Në fazën e lojës pa top shihnim një skuadër që nuk bënte presing. Inzagin e pashë të shqetësuar.
Merkato është ende e hapur. Prisni ndryshime nga Interi?
Klubi është në duart e një personi me shumë eksperiencë si Bepe Marota. Më duket sikur mes drejtuesve dhe trajnerit ka diskutime të vazhdueshme dhe këtë e tregon fakti se si Interi është duke lëvizur për të gjetur mbrojtësin.
PANORAMASPORT.AL