“Më vjen turp, pak a shumë si kur më ndodhte si futbollist dhe kur kthehesha nga Kupa e Botës në vitin 1974”. Kjo është një frazë e ish-trajnerit Fabio Kapelo, që pas eliminimit të kampionëve të Europës në fuqi përballë Zvicrës nuk e ka kursyer Spaletin. Ai nuk ka zgjedhur një gjuhë diplomatike për të përshkruar dështimin spektakolar të Italisë në 1/8 e finaleve.
Dhe gjithashtu “Don” Fabio, në Gjermani për llogari të UEFA-s, e di se çfarë do të thotë të jesh trajner i një ekipi kombëtar. Në CV-në e tij janë stolat e Anglisë së pari (nga 2007 deri në 2012) dhe më pas Rusia (nga 2012 deri në 2015). Me pak fjalë, ai e di çfarë do të thotë të ndjesh peshën e një vendi të tërë mbi supe.
Është vërtet kaq ndryshe të drejtosh një ekip kombëtar në krahasim me një klub të zakonshëm?
Janë dy profesione të ndryshme. Jo rastësisht nuk duhet të flitet për trajner të kombëtares, por për përzgjedhës. Sepse ai (commisario tecnico – komisari teknik) duhet së pari të zgjedhë lojtarët në bazë të asaj sheh në kampionate. Ai mund të ketë idetë e tij për futbollin, por ai duhet gjithashtu të mendojë disi më ndryshe, të logjikojë me një tjetër arsye, sepse i duhet të mendojë për lojtarë të ndryshëm që duhen përshtatur në një ekip kombëtar. Arsyeja është e thjeshtë: në ekipin kombëtar nuk ke kohë për të punuar çdo ditë siç ndodh me një ekip klubesh. Në një skuadër klubesh, çdo lojtar e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë.
Në fakt Spaleti dukej se kishte vendosur të besonte te një mbrojtje me 3 si Interi kampion i Italisë… Pastaj u tërhoq dhe krijoi konfuzion?
Për atë çfarë u pa në fushë, unë mendoj se konfuzionin më të madh nuk e kishte te skema, por atë e krijoi mes lojtarëve. Në rolin e organizatorit kanë luajtur Zhorzhinjo e më pas Paxholi, por asnjëri prej të dyve nuk ishte Lobotka i Napolit të Luçiano Spaletit. Ata kanë karakteristika të ndryshme. Kundër Zvicrës, Xhaka ishte i lirë të bënte çfarë të dëshironte. Por në këtë rast për Spaletin do të përdorja një tjetër fjalë.
Cila?
Mendjemadh! Krijova përshtypjen se që nga ndeshja kundër Spanjës, Spaleti nuk po mendonte si përzgjedhës i ekipit kombëtar por si një trajner klubi. Në substancë vendosi të hidhte në fushë një skuadër duke menduar cekët: ne jemi Italia, ata janë Spanja, të shohim kush është më i miri, duke zgjedhur një mbrojtje me 4 kundër dy lojtarëve të krahut më të mirë në Europian. Në fund e pamë kush ishte më i miri.
Por Zvicra, me gjithë respektin nuk është Spanja?
Nuk është Spanja, por ka një organizim gati të përkryer në shtyllën e saj kurrizore: Zomer në portë, Akanzhi në mbrojtje, Xhaka në mesfushë dhe Embolo në sulm. Dhe për më shumë, Zvicra mu duk një skuadër e vërtetë në gjithë kuptimin e fjalës: të gjithë gati të sakrifikonin, duke mbrojtur me 10 dhe sulmuar deri me 6 lojtarë.
Pas ndeshjes, Spaleti ia vuri fajin mungesës së freskisë…
Më vjen keq por nuk e pranoj një gjë të tillë. Italisë i mungoi forca e grupit.
Sa mendoni se është përgjegjësia e Spaletit?
Pyetje e këndshme… Është e qartë se Spaleti ka jo pak përgjegjësi. Por edhe lojtarët kanë të tyren, duhet ta ndjejnë peshën e fanellës. Nuk e kam parë kurrë nj Itali të tillë.
Spaleti tha se nuk do të dorëhiqet. Po a mendoni se kjo Itali ka fortë për të reaguar?
Nuk mund të gjykoj zgjedhjen e tij, por e ardhmja nuk më duket shumë optimiste. Spaleti është një trajner i mirë, por në të njëjtën kohë i duhet të përmirësohet shumë si përzgjedhës.
PANORAMASPORT.AL