Herri Kejn u përball me një numër pyetjesh të shpejta, duke filluar nga biskota më e mirë për t’u zhytur në një filxhan të nxehtë, deri te lojtari me të cilin do të dëshironte më shumë të luante në karrierë. Në një intervistë për “ESPN”, golashënuesi më i mirë dhe kapiteni i kombëtares angleze ka zbuluar edhe mbrojtësin më të mirë, me të cilin është përballur ndonjëherë.
Sulmuesi i Bajernit të Mynihut po përgatitet për dy ndeshjet kualifikuese të “tre luanëve” kundër Maltës sot dhe Maqedonisë së Veriut tre ditë më vonë, pavarësisht se ishullorët e kanë siguruar biletën e tyre në “Euro 2024”. Skuadra e Garet Sauthgejtit ka tre pikë më shumë në Grupin C, pas pesë fitoreve dhe një barazimi dhe do të kërkojë të vendosë veten në një pozicion edhe më të fortë me dy fitore në raundin e fundit të kualifikueseve të turneut të Gjermanisë. Ish-ylli i Totenhemit ka pasur një fillim fantastik karriere me Bajernin, ndërsa ka shënuar 17 gola në 11 ndeshje të Bundesligës për kampionët e Gjermanisë deri tani. Megjithatë, sulmuesi gjeti kohë për t’iu përgjigjur 20 pyetjeve për jetën e tij brenda dhe jashtë fushës, duke bërë disa deklarata ndoshta befasuese në këtë proces.
Pasi pranoi se heroi i tij i fëmijërisë ishte Dejvid Bekham dhe se dhurata më e keqe e Krishtlindjes që kishte marrë ndonjëherë ishte një kitarë, që mbeti e paprekur, Kejn u pyet se kush ishte mbrojtësi më i ashpër me të cilin është përballur ndonjëherë. “Unë u përballa me Xhon Terrin në fillim të karrierës sime dhe mendova se ai ishte një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Vërtet i zgjuar, vërtet inteligjent”. Dhe kur u pyet për një lojtar të Gjermanisë që ai do të dëshironte të shihte në fanellën e Anglisë, ai ofroi një përgjigje ndoshta më pak se tronditëse.
“Unë jam duke luajtur me Xhamal Musialën për momentin”, tha ai për lojtarin e lindur në Gjermani, por që përfaqësonte “tre luanët” në nivelin e të rinjve. “Ai është pak a shumë anglez, por padyshim që zgjodhi të luante për Gjermaninë. Lojtar i jashtëzakonshëm, djalë i mrekullueshëm gjithashtu, kështu që do të më pëlqente nëse ai do të zgjidhte Anglinë në vend të Gjermanisë”. Musiala lindi në Shtutgart, nga një baba britaniko-nigerian dhe nënë gjermano-polake dhe jetoi në Gjermani deri në moshën 7-vjeçare, përpara se të transferohej në Londër.
Ai regjistroi 19 paraqitje për moshat e Anglisë, përpara se të deklarohej për “Die Mannschaft” në 2021, të cilën ai e ka përfaqësuar në 25 raste. Kejn zgjodhi ish-shokun e Totenhemit, Erik Daier, me të cilin luajti në 360 raste për klubin dhe kombëtaren, kur u pyet se me cilin lojtar do të donte më pak të ulej pranë gjatë një fluturimi të gjatë: “Erik Daier fle kudo, në autobus, aeroplan, kështu që unë nuk do të kem asnjë bisedë prej tij.
Ai ndoshta do të flejë 12 orë të tëra, ose kudo është fluturimi”. Por nga të gjithë lojtarët në historinë e futbollit me të cilët do të dëshironte të luante zgjedhja e tij është e qartë: “Do të doja të luaja me Mesin, një nga lojtarët më të mëdhenj që ka luajtur ndonjëherë lojën tonë. Jam i sigurt se ai do të mund të më jepte disa asiste”!
PANORAMASPORT.AL