I fokusuar në maksi mum, me dëshirën për të “çarë” botën dhe për të udhëhequr Interin drejt një finaleje të Ligës së Kampioneve. Lautaro Martinez ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes duke provokuar Jamalin dhe duke treguar forcën e skuadrës zikaltër, pavarësisht momentit delikat.
Këtë herë nuk është Mesi, por Lamin Jamal. Mund të bëhen krahasime? Jo. Nuk do të bëj kurrë krahasime me Leo Mesin, sepse për mua ai është më i madhi i historisë. Jamal është një lojtar i shkëlqyer dhe ka fituar trofe të rëndësishëm me klubin dhe kombëtaren.
Si vjen Interi në këtë ndeshje? Në 3 vite kemi arritur 2 herë në gjysmëfinalen e Champions-it dhe kjo tek Interi nuk ndodhte prej vitesh. Jemi duke bërë një punë të madhe në një kompeticion të rëndësishëm. Mendojmë që të bëjmë punën tonë dhe të realizojmë ëndrrën e tifozëve tanë për të shkuar në finale.
Çfarë mendoni për potencialin sulmues të Barcelonës? E dimë shumë mirë se çfarë ekipi janë. Duhet të bëjmë një punë të madhe në aspektin mbrojtës të gjithë bashkë. Jemi një skuadër që mbrohemi mirë, por edhe të sulmojmë të gjithë bashkë.
Nga varet kjo periudhë negative për Interin? Kemi bërë një punë të shkëlqyer deri tani. Nuk ndodhte prej kohësh që të humbnim 3 ndeshje radhazi. Na vjen keq që ka ndodhur, sepse nuk jemi mësuar, por grupi është i bashkuar dhe ky është çelësi. Jemi gati për këtë ndeshje.
Çfarë fjalësh do të përdorësh me shokët për t’i karikuar? Asgjë. Jemi të karikuar dhe ambiciozë për këtë ndeshje. Duhet që të jemi bashkë. Ne jemi të parët që vuajmë në rast se humbasim dhe nuk e pranojmë këtë situatë. Kemi folur bashkë dhe ato gjërat mbeten në dhomat e zhveshjes. Do të japim gjithçka në fushë.
15 vite më parë Interi u kualifikua duke bërë një ndeshje heroike… Kjo gjë nuk duhet të mungojë kurrë. Jo të gjitha ndeshjet janë të njëjta. E rëndësishme është që të mos kursehemi. Kemi punuar mirë dhe kemi rikuperuar energjitë. Duhet të përgatitemi në këto orë të fundit.
Çfarë Lautaro do të shohim në krahasim me 2 herët e tjera që keni qenë këtu? Më të vjetër (qesh). Sigurisht një Lautaro që kërkon të sfidojë Barcelonën në mënyrën e duhur bashkë me shokët e skuadrës. Jemi entuziastë që do të luajmë këtë ndeshje.
Çfarë të jep besim për nesër (sot)? Kam parë se si kanë punuar shokët e skuadrës dhe si është grupi. Pavarësisht faktit që nuk jemi mësuar që të humbasim 3 ndeshje radhazi, jemi ringritur. Ishte e vështirë. Por jemi bashkë në këtë moment dhe stafi po na këshillon si të dalim prej tij.
Sa i rëndësishëm është rikthimi i Turamit? Markus është i rëndësishëm për ne. Jam i lumtur që është me skuadrën, por trajneri nuk na e ka thënë ende formacionin. Ai është rritur shumë dhe mund të na japë një dorë në këtë situatë.
Nëse do të fitoni nesër (sot), do të thotë që jeni më të fokusuar në Champions sesa në kampionat? Jo. Nuk jam dakord me këtë. Ne kemi luajtur në të gjitha kompeticionet për të fituar. Champions-i është i rëndësishëm dhe detajet bëjnë diferencën. Ndoshta në kampionat nuk kemi qenë shumë të vëmendshëm.
Fitorja në këtë ndeshje mund të rrisë shanset e tua për “Topin e Artë”? Çmimet individuale vijnë kur fiton me skuadrën, por unë mendoj vetëm për të bërë të lumtur tifozët dhe familjet interiste. Më intereson më shumë grupi dhe Interi.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL