Kapiteni i Anglisë, Herri Kejn, beson se mund të luajë deri në moshën 40-vjeçare, pasi u zotua që të mos largohet kurrë nga futbolli ndërkombëtar edhe për dekadën e ardhshme.
Sulmuesi i Bajernit të Mynihut është rikthyer në Angli pas grumbullimit për miqësoren e së premtes kundër Australisë dhe kualifikuesen e javës së ardhshme të “Euro 2024” kundër Italisë. Kejn është në kulmin e karrierës së tij, ndërsa ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë pesë asiste në 10 ndeshjet e tij zyrtare në Gjermani që kur u largua nga Totenhemi në gusht. Por pavarësisht se ai ka mbushur 30 vjeç këtë vit, golashënuesi më i mirë i historisë së kombëtares angleze nuk po mendon për jetën pas futbollit ndërkombëtar dhe beson se nuk do ta bëjë kurrë. I pyetur nëse do të tërhiqej ndonjëherë nga kombëtarja, Kejn u përgjigj: “Ndoshta jo. Unë kam qenë gjithmonë shumë krenar që luaja për Anglinë dhe të tërhiqesha do të ishte shumë e vështirë edhe të mendohej. Unë jam dikush që do të doja gjithmonë të vazhdoj të shtyj dhe të vazhdoj të testoj kufijtë. Ndoshta do të vazhdoj derisa të mos më zgjedhin më dhe pastaj do të më duhet ta gëlltis këtë. Po shijoj çdo minutë që luaj për Anglinë dhe nuk dua që ajo të përfundojë së shpejti”.
MOSHA
Ai kujdeset në mënyrë perfekte për veten jashtë fushës. Sulmuesi ka punësuar mjekë dhe nutricionistë në përpjekje për të zgjatur sa më shumë karrierën e tij. Sulmuesi beson se ai është vetëm në gjysmë të rrugës të karrierës me “tre luanët”: “Perceptimi është se ti mbush 30 vjeç dhe njerëzit fillojnë të mendojnë se është fundi. Por mënyra se si unë e shikoj këtë është si të ishte gjysma e dytë e karrierës sime. Kam luajtur në ekipin e parë të Totenhemit nga mosha 20-21 vjeç, kështu që kam pasur nëntë ose dhjetë vjet në nivelin më të lartë. Shpresoj për tetë apo nëntë vite të tjera në këto nivele. Ju shikoni disa lojtarë që duan të kenë një sfidë tjetër, kështu që unë kurrë nuk do të mund t’ju them me siguri se çfarë do të bëj. Por për momentin, unë thjesht dua të vazhdoj të luaj. Me shkencën sportive dhe mënyrën se si loja është përshtatur, ajo u ka lejuar lojtarëve që të luajnë për një kohë më të gjatë. Është e mundur të luash deri në fund të të 30-ave dhe kjo është ajo që po planifikoj të bëj”.
JETËGJATËSIA
Ky është edhe një paralajmërim për rivalët e tij. Kejn, i cili zbuloi se familja e tij ende nuk është zhvendosur në Mynih, beson se ai ende nuk e ka arritur kulmin e tij. “Padyshim që ka vend për përmirësim,” këmbënguli ai. Ka ardhur një ose dy vitet e fundit: të kesh përvojën, të njohësh trupin tënd, të njohësh mënyrën se si dëshiron të luash, të luash në ndeshje me presion të lartë. Kur shikoni shumë nga lojtarët më të mirë, Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi, Robert Levandovski, Zlatan Ibrahimoviç, ata gati janë bërë më të mirë pasi kanë arritur të 30-at. Në shumë sporte kjo ndodh, ndoshta sepse gjithçka është e rregulluar në jetën tuaj personale. Ju keni një familje, fëmijë. Ju jeni të kënaqur me trupin tuaj, mendërisht, dhe kjo ju lejon të përqendroheni në futboll”.
“SPËRSAT”
Totenhemi ka shkëlqyer që nga largimi i Kejnit në fillim të këtij sezoni. Nën drejtimin e trajnerit të ri Ange Postekoglou, ish-klubi i sulmuesit është në krye të Premier Ligës dhe luan një markë argëtuese futbolli. Kejn do të kthehet në qendrën stërvitore të “spërsave” në “Enfield” të premten, kur Anglia të zhvendoset në jug përpara ndeshjeve të tyre në “Wembley”. Atij do t’i jepet një leje hyrjeje në të gjitha fushat nga Totenhemi kur të mbërrijë në terrenin e tyre të stërvitjes, në mënyrë që më në fund të mund t’u thotë lamtumirën disa prej ish-kolegëve të tij: “Unë e kam bërë të qartë gjatë gjithë karrierës sime se jam tifoz i Totenhemit dhe do të doja ta shihja Totenhemin të ecë mirë. Nuk ka asnjë ekip tjetër në Premier Ligë që do të doja ta fitoja përveç Totenhemit. ‘Spërsat’ po ecin mjaft mirë. E kam thënë edhe më parë se trajneri po bën një punë të shkëlqyer me mënyrën se si po luajnë. Është shumë e bukur për ta parë.
Tifozët mbështesin skuadrën dhe kjo është ajo që u duhej pas viteve të fundit. Unë gjithmonë do të kem një sy te Totenhemi dhe Premier Liga. Sigurisht, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë, por siç tha menaxheri, nuk ka asnjë arsye pse tifozët të mos jenë të emocionuar dhe të kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat. Shpresojmë që të mund të vazhdojnë. Gjithashtu, unë duhet të jem i respektueshëm ndaj Bajernit të Mynihut dhe sigurisht, tifozët e dinë se unë gjithmonë do t’i kem pikë të dobët ‘spërsat’. Nuk ka asnjë dyshim për këtë, por unë duhet ta kthej të gjithë vëmendjen time te Bajerni i Mynihut dhe të jemi sa më të suksesshëm që të jetë e mundur. Por unë e di që do të ketë pyetje të tilla me siguri, veçanërisht kur Totenhemi të jetë duke luajtur mirë. Sigurisht që shpresoj që ata të bëjnë sa më mirë që të jetë e mundur, por vëmendja ime kryesore është ku jam tani, duke u përpjekur të luaj mirë për Bajernin”.
EUROPIANI
Dhe në fund ëndrra për të fituar një trofe me kombëtaren dhe atë që nuk bënë në “Euro 2020”, duke humbur finalen në shtëpi kundër Italisë, shpreson që ta bëjë në 2028-ën kur turneu të rikthehet në ishull: “Ne ishim shumë pranë për të bërë diçka vërtet magjike në Europianin e fundit. Ky është futbolli, nuk përfundoi ashtu siç donim ne, por me siguri do të na mundojë në të ardhmen. Jo vetëm duke luajtur në Gjermani verën e ardhshme, por edhe duke luajtur në shtëpi, në ‘Wembley’ në 2028-ën do të rikthehen kujtimet e ‘Euro 2020’. Do të duhet të presim dhe të shohim. Të fitosh një turne do të ishte speciale, por ta fitosh atë në vendin tënd do të ishte një ëndërr e bërë realitet”.
PANORAMASPORT.AL