Finalja për Champions-in e nëntë të Realit (La novena) do të personifikohet përjetë me goditjen fluturimthi të Zinedin Zidan, goditja monumentale me të cilën ylli francez ndaloi kohën në “Hampden Park” për të shënuar një nga golat më të bukur në historinë e futbollit, jo vetëm të Ligës së Kampioneve.
Gjithçka që Zizu bëri që në momentin kur Roberto Karlos nisi një krosim në zonën e Leverkusenit është një mësim arti: mënyra për të shkuar për një top kaq të komplikuar, mënyra për të rregulluar trupin, për të ngritur këmbën dhe për të goditur me atë saktësi për ta dërguar atë në rrjetën e But. Që pas atij goli e gjithë bota ka folur për atë që ndodhi në Skoci, të gjithë kanë folur për Madridin. Por si u pa ai gol nga krahu tjetër.
Dimitar Berbatov, sulmuesi bullgar i asaj skuadre të mrekullueshme të Leverkusenit, e ka të gjithë sekuencën e regjistruar në memorien e tij, e ka para syve të tij. “Isha menjëherë pas, pashë gjithçka. Më kujtohet sesi Roberto Karlos vrapoi për të arritur topin dhe e ktheu në zonë. Ai pasim ishte i destinuar të përfundonte pa ndonjë rrezik për ne.
Nuk ishte një pasim kros, por fati donte që Zidan të ishte në vendin e duhur në kohën e duhur. U ndjeva si mut me atë gol të pabesueshëm nga francezi. Janë të paktë ata që mund të realizojnë një gol të tillë. Por kur e sheh si e pashë unë, aq për në fushë, nuk ka asnjë gjë tjetër veç admirimit”, shpjegoi pak vite më vonë ish-sulmuesi i “aspirinave”.
FUND PËR INFARKT – Bajer Leverkusen u shfaq në atë finale në Gllazgou duke u dukur shumë i ngjashëm me atë që Dortmundi ka tani në Londër, megjithëse është e vërtetë që verdhezinjtë e kanë tashmë një titulli në Champions (1997) dhe një tjetër humbje (2013) në historinë e tyre. Larg nga dëshpërimi duke e parë veten dy herë në disavantazh, sepse Raul shënoi pak pasi filloi me një veprim të shkëlqyer, ata nga Leverkusen e shitën lëkurën shumë shtrenjtë.
Lusio barazoi 1-1 përpara se Zidan të shënonte 2-1 për Realin. Leverkuseni nuk u dorëzua dhe disa herë ishte afër 2-2. Pikërisht aty shfaqet figura e Iker Kasijasit, portier zëvendësues atë natë në Gllazgou. 40 vjet më parë, një tjetër portier zëvendësues (Nigel Spink, i Aston Vilës) kishte qenë heroi i finales kundër gjermanëve të tjerë, Bajernit të Mynihut. Sezoni 2001-2002 nuk ishte i lehtë për Kasijasin, i cili pa që Del Boske të humbiste besimin tek ai në gjysmë të rrugës. Europa ishte dritarja e tij pasi Çezar e nxori jashtë portës në La Liga në fund të shkurtit.
Erdhi 15 maji dhe finalja në Gllazgou. Çezar ishte portieri titullar i Madridit për 68 minuta. Më pas ai u dëmtua. Kasijas u hodh shpejt në fushë për të luajtur sërish pas 55 ditësh “i papunë”. Në vetëm 20 minuta Kasijas arriti të bënte tri mrekulli, sepse Leverkusen mbylli Madridin në zonën e tij. Tre pritje në kufijtë e paranormales e penguan Bajerin të barazonte.
“Unë kam ende makthe për ato pritje”, bën shaka Berbatov kur kujton finalen e Glasgout. Iker përjetësoi veprën e artit të Zidanit me pritjet e tij. Madridi ishte kampion evropian për herë të nëntë, i pari nën drejtimin e Florentino Perez. Dhe Kasijas ishte titullari i Spanjës në Kupën e Botës. Por kjo është një histori tjetër.
PANORAMASPORT.AL