Një nga emrat e njohur që dolën nga La Masia e famshme e Barcelonës është edhe Xhovani Dos Santos. Djaloshi meksikan i ditëlindjes 1989 firmosi me Barçën kur ishte 12 vjeç dhe debutoi me të në vitin 2006 kur ishte vetëm 17-veçar.
Shumëkush e krahasonte me Ronaldinjon dhe pritshmëria për të ishte jashtëzakonisht e madhe. Por Dos Santos nuk përmbushi këtë pritshmëri dhe u largua pas vetëm 1 sezon mes profesionistëve, duke kaluar te Totenhem. Më pas karriera e shtyu drejt klubeve si Ipsuiç, Racing Santander, Majorka, Vijareal, Los Anxheles Galaksi dhe Klub Amerika. Karriera në klube nuk ishte aq e shndritshme sa ajo me fanellën e Meksikës, me të cilën luajti 107 ndeshje duke shënuar 19 gola, teksa fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2012 dhe 3 Gold Cup.
Pas tërheqjes në vitin 2021, Dos Santos është kthyer në një biznesmen shumë të suksesshëm duke fituar miliona. “Claro Sports” bën të ditur se tani ai është bashkëpronar te “Procura Mexico”, kompani e cila është e lidhur me atë të famshën e karburanteve “Petróleos Mexicanos”. Vetëm nga ky aktivitet i ri, ai fiton rreth 500 mijë dollarë në vit. Paralelisht, ai ka edhe një kompani shumë të suksesshme që shet makina luksi në Meksikë.
PANORAMASPORT.AL