Thursday, 22. January 2026
Sport

Karoglan flet për përgatitjet e Ballkanit në Antalia

GS 22/01/2026 3 Min. Lesezeit

Skuadra e Ballkanit po vazhdon përgatitjet dimërore në Antalya, ku ekipi tashmë ka një javë punë intensive në kushte optimale.

Trajneri Mislav Karoglan ka folur për ecurinë e deritanishme të kampit, fokusin e stafit dhe pritjet për pjesën e dytë të sezonit.

“Shtojmë ngarkesën dhe cilësinë e punës sepse këtu i kemi kushtet ideale. Jam i kënaqur me atë që po bëjmë deri tani dhe me mënyrën si po reagon ekipi”, u shpreh Karoglan.

Sipas tij, në Antalya stafi teknik ka më shumë kontroll mbi procesin e punës dhe kjo i lejon ekipit të avancojë më shpejt.

“Këtu mund të punojmë shumë më tepër dhe më mirë se në fazën e parë. Kjo na ndihmon të përfshijmë çdo element të lojës dhe çdo fazë, jo vetëm anën fizike”, theksoi ai.

Karoglan vlerësoi edhe angazhimin e lojtarëve, duke nënvizuar se po vendosen standarde të qarta për vazhdimësinë.

“Lojtarët janë të përkushtuar dhe po mundohemi të ndërtojmë baza të forta për të ardhmen, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, u shpreh Karoglan.

Trajneri i kampionëve të pjesës së parë ishte i qartë se pozita në tabelë nuk ndikon në filozofinë e punës.

“Të jesh lider apo jo nuk e ndryshon qasjen tonë. Kultura dhe mënyra jonë e punës mbesin gjithmonë të njëjta”, tha ai.

Sa i përket ndeshjeve miqësore, Karoglan theksoi se fokusi kryesor mbetet përgatitja për vazhdimin e sezonit.

“Presim përmirësim në dy ndeshjet e radhës, por më e rëndësishmja është të jemi gati për pjesën e dytë të kampionatit. Fokusi ynë është dita në ditë, çdo stërvitje, duke ndërtuar një model loje të suksesshëm dhe një atmosferë të fortë brenda ekipit”, deklaroi Karoglan.

Në fund të deklaratës së tij, Karoglan nënvizoi se ekipi po ecën sipas planit dhe se gjithçka është e orientuar drejt vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Kampi në Antalya do të shfrytëzohet maksimalisht deri në ditët e fundit, me intensitet të lartë pune dhe vëmendje ndaj çdo detaji, në mënyrë që FC Ballkani të kthehet i përgatitur maksimalisht për sfidat e pjesës së dytë të sezonit.

Teilen: