Kastrioti i Ferizajt është skuadra e radhës kosovare që paraqitet në gara evropiane.
Në kuadër të raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë, Kastrioti takohet me skuadrën nga Luksemburgu, Red Boys Differdange.
Fituesi në fuqi i Kupës së Kosovës, Kastrioti, dhe kampioni i Luksemburgut, Differdange, janë pajtuar që të dy ndeshjet të zhvillohen në Kosovë.
Ndeshja e parë është të premten (sonte) nga ora 20:00 në palestrën e qytetit në Lipjan.
Ndeshja e dytë është të shtunën nga ora 20:00 në arenën e njëjtë.
Kastrioti nuk luan në palestrën në Ferizaj, për shkak të shfrytëzimit të saj për procesin e numërimit të votave.
Ferizajasit tashmë e kanë përvojën e ndeshjeve evropiane dhe duke llogaritur edhe në përkrahjen e shikuesve, kërkojnë avancimin në raundin e tretë të EHF European Cup.