Mbyllet në barazim 1-1 ndeshja Besa-Lushnja, që hapi javën e pestë të Kategorisë së Parë në RTSH. Në stadiumin e Luzit, dy skuadrat kërkuan me ngulm fitoren e parë sezonale, por nuk ia arritën dot qëllimit.
Gjithçka u vendos në pjesën e parë. Besa kaloi në avantazh me një gol shumë të bukur të Beqjas, por Lushnja barazoi shifrat me Cankën. Nuk munguan emocionet në pjesën e dytë, por asnjë nga skuadrat nuk arriti që të gjejë sërish rrugën e rrjetës.
Mbyllet në barazim 1-1 sfida, që u transmetua drejtpërdrejt në RTSH Sport. Lushnja merr barazimin e 5-të radhazi në kampionat, ndërsa Besa merr një pikë pas 2 humbjeve radhazi. Edhe kavajasit nuk e kanë provuar shijen e fitores këtë sezon, pasi kanë koleksionuar 3 barazime dhe 2 disfata në 5 javë kampionat.