Në ndeshjen hapëse të javës së tretë në Kategorinë e Parë, në një sfidë që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport, Kukësi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 përballë Lushnjës në “Kukës Arena”.
Lushnjarët ishin të parët që kaluan në avantazh pa u mbyllur 15 minuta lojë. Pas një goditje dënimi nga e majta e sulmit, ishte Canka që kërceu mbi të gjithë duke goditur saktësisht me kokë.
Megjithatë, pas gjysmë ore lojë, verilindorë arritën të vendosin barazpeshën me një perlë të Wilson nga distanca. Mundësitë për shënim nuk munguan dhe në vazhdim, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë barazim Kukësi ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërsa për Lushnjën ky është barazimi i tretë radhazi(3 pikë).