Komisioni i Ankesave i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), ka aprovuar pjesërisht ankesën e KV Peja për dënimin e gjashtë lojtarëve që dolën në tribunën anësore të palestrës “Bll Clinton” në Ferizaj dhe sulmuan fizikisht pak tifozë që ishin aty.
Vendimet e Komisionit të Ankesave për incidentin, prej më të rëndëve në volejbollin kosovar, që ndodhi më 1 dhjetor pas finales së Kupës së Federatës, janë marrë më datën 13 janar.
Ndërsa, disa lojtarëve të klubit pejan u janë zvogëluar dënimet e disave jo.
Volejbollistit Arlind Kabashi i është zbutur dënimi nga 10 vjet suspendim në 7 vjet, ndërsa Kaltrim Berishës dhe Dardan Husajt dënimi me 3 vjet suspendim u është shndërruar në suspendim njëvjeçar.
Ndërkohë, Gazmend Husajt, që vlerësohet prej volejbollistëve më të mirë shqiptar në histori, i është ulur dënimi nga 1 vit largim nga garat, në shtatë muaj. Husajt i ka mbetur në fuqi gjoba prej 500 eurosh, ndërsa Kabashit i zbutet gjoba në 600 euro nga 1000 sa kishte vendosur Komisioni Disiplinor më 14 dhjetor.
Vendimi i Komisionit Disiplinor ka mbetur në fuqi për Leutrim Mujajn dhe Agron Nikçin. Mujaj duhet ta vuajë dënimin prej dhjetë vjetësh suspendim dhe gjobë prej 1000 eurosh, ndërsa Nikçi, që është kapiten i skuadrës dhe mban pozitë të rëndësishme në Komunën e Pejës, duhet ta vuajë dënimin prej tre vjet përjashtim nga garat dhe gjobë prej 800 eurove.
Mbetet në fuqi po ashtu vendimi për klubin e Pejës, që për shkelje të rëndë disiplinore është gjobitur me 2000 euro.