Katërmbëdhjetë vite pas herës së fundit që Arsenali kualifikohet për në çerekfinalet e Champions League, skuadra e Artetës arriti të shkruante edhe një herë historinë, teksa mundi mbrëmjen e së martës me penallti ekipin e Portos. Hero i mbrëmjes ishte David Raja, i cili priti 2 penallti duke drejtuar “topçinjtë” drejt suksesit të parë pas kaq shumë vitesh.
Hera e fundit që Arsenal arrinte një sukses të tillë ishte sezoni 2009-2010. Skuadra ka qenë komplet e ndryshme nga kjo e sotmja, teksa në drejtim të saj ishte ende legjenda e klubit, Arsen Venger. Në atë sezon Arsenali kaloi fazën e grupeve të Champions League, duke përfunduar me 13 pikë në grup me Standard Liezh, Olimpiakos dhe AZ Alkmar.
Në fazën e 1/16 u përballën me Porton dhe humbja 2-1 në ndeshjen e parë, me një gol vendimtar të Radamel Falkao, u përmbys 5-0 në “Emirates Stadium”. Në çerekfinale u përballën me Barcelonën. Barazimi 2-2 në ndeshjen e parë e luajtur në Angli, nuk i hyri në punë aspak Arsenalit, teksa u mundën 4-1 në “Camp Nou”, falë një pokeri me 4 gola nga Mesi, duke i dhënë fund rrugëtimit të tyre në arenën më të madhe europiane.
Natyrisht që atë kohë, nuk mund ta parashikonte kush që Arsenali, nuk do të luante më në atë fazë për 14 vitet në vazhdim. Tani emrat e dikurshëm si Fabregas, Uollkot apo Nasri janë zëvendësuar me emra shumë premtues si Odegard, Saka apo Martineli. Ata e meritojnë 100% këtë kualifikim dhe shumë njerëz kanë shpresa të madha tek ta dhe besojnë që mund të arrijnë edhe më shumë se kaq.
PANORAMASPORT.AL