Monday, 9. March 2026
Sport

KB Prishtina heq dorë nga Liga ENBL

GS 09/03/2026 2 Min. Lesezeit

KB Sigal Prishtina është tërhequr nga garat në Ligën ENBL.

Klubi i Superligës së Kosovës në basketboll, të hënën ka njoftuar për vendimin e ndërprerjes së pjesënarrjes në këtë ligë.

“Ky vendim vjen si pasojë e obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj Ligës ENBL, të cilat janë krijuar nga kryesia e kaluar e klubit. Përkundër përpjekjeve të drejtuesve aktualë për të gjetur zgjidhje dhe për ta vazhduar rrugëtimin në këtë garë, këto obligime të trashëguara e kanë bërë të pamundur vazhdimin e garimit në këtë moment”, ka shkruar Prishtina.

Në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh situatën sportive nëpër të cilën po kalon skuadra dhe krizën aktuale të rezultateve, klubi ka vendosur që në këtë periudhë të përqendrohet maksimalisht në garat vendore dhe në stabilizimin e ekipit.

“KB Sigal Prishtina mbetet e përkushtuar që të punojë seriozisht për rikthimin e stabilitetit në klub dhe për rikthimin e rezultateve që i takojnë historisë dhe traditës së këtij klubi”, vazhdon njoftimi.

Për fund, klubi ka falënderuar drejtuesit dhe zyrtarët e Ligës ENBL për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar.

Teilen: