Adrio Bailey bëhet basketbollisti i tretë amerikan që largohet nga Sigal Prishtina brenda një jave.
Bailey, të mërkurën mbrëma luajti për Prishtinën në humbjen 103:80 ndaj Trepçës, duke regjistruar 26 pikë, 6 kërcime e 3 asistime kurse të enjten është prezantuar te skuadra e re.
Bailey karrierën do ta vazhdojë në Izreal te skuadra Maccabi Kiryat Gat dhe nuk do të jetë pjesë e Prishtinës për garat e “play-offit”.
Para Baileyt nga Sigal Prishtina janë larguar edhe Deondre Burns e Elijah Clarance, të cilët klubi nga kryeqyteti i ka falënderuar për kontributin dhe u ka dëshiruar suksese në vazhdim të karrierës.
Prishtina në xhiron e fundit të stinorit të rregullt, siguroi pozitën e gjashtë në tabelë për t’u paraqitur në garat e “play-offit”, ku në çerekfinale do të përballet me skuadrën e Borës.
Pjesën e rregullt të stinorit në Superligën e Kosovës, Prishtina e ka mbyllur me 10 fitore e 18 humbje në 28 ndeshje të zhvilluara.