Në palestrën “Adem Jashari” në Obiliq sonte do të zhvillohet finalja e dytë e playoff-it për inkuadrim në Superligën e Kosovës në basketboll ku do të ballafaqohen KEK-u dhe skuadra nga Rahoveci, Grapeland.
Skuadra nga Obiliqi e ka fituar ndeshjen e parë me rezultat 78-69 dhe me një fitore eventuale sonte do ta siguronte inkuadrimin në Superligë, në të kundërtën, fitorja e rahovecianëve do ta siguronte zhvillimin e ndeshjes së tretë.
Presidenti i KEK-ut, Dritëro Kelmendi ka thënë për KP se Grapeland është një skuadër mjaftë e fortë dhe kundërshtar direkt, por që skuadra e tij synon ta sigurojë inkuadrimin në Superligë pas finales së dytë.
Kelmendi: Grapeland është skuadër e fortë
“Ekipi Grapeland është një ekip solid, i fortë, pra e kemi kundërshtar direkt. Në përballje direkte dihet që tani jemi barazuar me fitore, jemi dy me dy ku ata kanë fituar Kupën e Kosovës por që synimi ynë ka qenë playoff-i dhe aty jemi mirë duke e fituar lojën e parë atje dhe po besoj dhe jam i bindur që do ta fitojmë edhe lojën e dytë në Obiliq dhe të vazhdojë historia si vjet edhe sivjet me dy lojë ta kryejmë playoff-in dhe ta vazhdojmë festën”, thekson Kelmendi.
Ai ka shtuar se skuadra e tij është e përgatitur maksimalisht që ta ngrenë kupën sonte në qytetin e Obiliqit.
Kelmendi: Duam ta ngremë kupën në qytetin tonë
“Lojtarët janë të përgatitur për t’u përballur në këtë ndeshje dhe po besoj që sikur vitin e kaluar në Ligën e Dytë që kemi qenë do ta ngremë kupën në qytetin tonë edhe do të vazhdojë festa dhe do të inkuadrohemi në Superligë që ka qenë edhe qëllimi ynë kryesor që nga themelimi i klubit të seniorëve.”, thotë Kelmendi.
Ndërsa, presidenti i Grapeland, Indri Krasniqi ka deklaruar se brenda ekipit mbizotëron optimizmi dhe besimi se do të japin maksimumin për të arritur fitoren, derisa shton se inkuadrimi në Superligë është objektivi kryesor dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm për klubin.
Krasniqi: Inkuadrimi në Superligë do të ishte kurorëzim i një punë ta madhe nga ne
“Skuadra është shumë mirë e përgatitur, kemi një grup lojtarësh me përvojë të madhe që dinë ta menaxhojnë presionin në momente kyçe. Është punuar shumë gjatë gjithë javës, dhe brenda ekipit mbizotëron optimizmi dhe besimi se do të japim maksimumin për të arritur fitoren. Inkuadrimi në Superligë është objektivi ynë kryesor dhe është jashtëzakonisht i rëndësishëm për klubin, për qytetin dhe për të gjithë ata që na kanë përkrahur. Është kurorëzimi i një pune shumë të madhe që është bërë gjatë gjithë sezonit, dhe do të ishte shpërblimi më i madh për këtë grup që ka sakrifikuar dhe luftuar çdo ditë”, ka thënë Krasniqi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Kjo ndeshje nis nga ora 17:00.