Kristian Pulisiç është bashkuar Milanit në Nju Jork për turin veror. Pas Mançester Sitit, nesër (02:30 orën shqiptare) kuqezinjtë do të sfidojnë kampionët e Europës së Realit të Madridit.Fill përpara kësaj miqësoreje të radhës, pikërisht numri 11 kuqezi ka dhënë një intervistë e cila i kapërcen në disa momente konturet e futbollit. Në vijim edhe deklarata e Pulisiçit për “The Tonight Show”, spektakli shumë i ndjekur i prezantuar nga Xhimi Fellon
Ju keni bërë shumë për futbollin në Amerikë. Çfarë do të thotë të kesh arritur këto nivele për një djalë nga Pensilvania?
Edhe sot është e pabesueshme për mua pasi nuk e kisha menduar kurrë se do të isha në këtë pozicion, duke bërë atë që dua për të jetuar. Është vërtetë një ndjesi e pabesueshme.
Kur ishte hera e parë që menduat të bëheshit futbollist profesionist?
Kujtimi im i parë është me një top futbolli. Ndoshta kur isha 6-7 vjeç dhe u transferova në Angli. Disi e dija sepse pothuajse çdo vit në festën e “Halloween”-it vishesha si futbollist. Nuk isha shumë kreativ siç mund ta kuptoni (qesh)…
Pse futboll?
Sepse është një sporti i praktikuar nga të dy prindërit e mi. Babai im ishte profesionist dhe mamaja ime ishte ndoshta futbollistja më e mirë nga të dy: ajo ishte një lojtare e shkëlqyer e nuk po tallem.
Kur luani videolojëra e përdorni veten?
Epo, kur futesh për herë të parë në lojën video, patjetër që dëshiron të përdorësh veten për të luajtur. Ishte gjëja më e bukur që më kishte ndodhur ndonjëherë.
Keni gjithmonë një festë goli në rast se shënoni. Ju kujton tatuazhi, apo keni teknika për këto gjëra?
Jo, jo tamam. Ky nuk ishte plani, por kur e bëra, artisti i tatuazheve më tha ta provoja për të parë nëse përputhej në mënyrë perfekte. Isha 18-19 vjeç asokohe. Megjithatë nuk jam penduar.
Ndeshjen e radhës do ta luani kundër Realit në Çikago. Cilat janë ndjesitë?
Po, ne kemi një ndeshje të madhe kundër Realit të Madridit. Do të jetë fantastike sepse në Amerikë sa vinë e shtohen tifozët. Megjithatë më e çuditshmja ishte ndeshja me Sitin pasi luajtëm futboll në një stadium historik për bejsbollin.
A jeni i emocionuar para ndeshjeve?
Po zakonisht po dhe sinqerisht edhe më shumë kur luaj në SHBA: është gjithmonë bukur të jesh në shtëpi dhe të luaj me klubin tim evropian në Shtetet e Bashkuara, është akoma më mirë.
A po i argëtoni bashkëlojtarët tuaj europianë?
Më pyesin gjithmonë. Vitin e kaluar ishim në Los Anxheles dhe më thanë: ‘Hë pra Kristian, është vendi yt, na trego diçka‘. Dhe unë i thashë: ‘Por unë jam nga Hershej i Pensilvanisë nuk kam çfarë t’ju tregoj…’ (qesh). Nju Jorku ishte pak më afër kështu që mezi u organizova diçka…”.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL