Trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, ka kërkuar mbrojtje nga një kërcënim i madh që ai ka quajtur se vjen nga futbolli i Arabisë Saudite. Tekniku gjerman është i alarmuar se klubet europiane do të plaçkiten pas mbylljes së merkatove të tyre të transferimeve më 1 shtator, sepse superfuqia e Gjirit mund të blejë ende lojtarë deri më datën 20 shtator, kur mbyllet edhe merkatoja e tyre.
Klop tha: “Më e keqja është se merkato në Arabinë Saudite është hapur për tre javë më gjatë. Të paktën në Europë, kjo nuk ndihmon. Kështu që UEFA dhe FIFA duhet të gjejnë zgjidhje për këtë. Duket sikur Arabia Saudite ka mjaft ndikim, është një ndikim shumë i madh”.
Klubet saudite mund të shkaktojnë një tërmet të vërtetë, duke paguar klauzola kontratash për yjet në Europë dhe i lënë klubet të paafta për t’i zëvendësuar humbjet e tyre. Rindërtimi i mesfushës së “Reds”-ave është një proces që sapo ka nisur me transferimet e Mek Alisterit dhe Sobozlait dhe që deri tani ka humbur kapitenin Xhordan Henderson, i cili firmosi me Al-Etifaqin në Arabi për 12 milionë paund dhe Fabinjon, i cili përfundoi tek Al-Itihadi për 40 milionë paund.
Ndërkohë që Roberto Firmino iu bashkua Al-Ahlit pas skadimit të kontratës së tij në “Anfield”. Klop u desh të mbrohej nga një sulm prej 43 milionë paundësh nga AlHilal për sulmuesin kolumbian Luis Diaz.
Edhe trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola paralajmëroi të shtunën për “kërcënimin” e klubeve të Premier Ligës që do të humbnin yjet e tyre kryesorë, pasi ai pa Rijad Mahrezin të largohej nga klubi i tij drejt AlAhlit.
“The Telegraph” shkruante një ditë më parë se Premier Liga ndihet e kërcënuar nga Arabia Saudite, e cila posedon forcën financiare për të investuar shumë fuqishëm për të paktën një dekadë, duke i ndryshuar tërësisht peizazhin e futbollit botëror.
Në 12 muajt e fundit, Arabia Saudite ka nisur një fushatë agresive transferimesh të yjeve të futbollit botëror, e cila pas transfeirmit të Kristiano Ronaldos, e pati shumë të thjesht për të tërhequr kampionë të tjerë drejt Lindjes së Mesme.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL