Uest Hemi pret që Mançester Siti të bëjë një ofertë për Deklan Rajsin pas vendimit të Ilkai Gyndoanit për t’iu bashkuar Barcelonës. Fituesit e tripletës po peshojnë një lëvizje zyrtare për kapitenin e “çekiçëve”, duke hyrë në garë me Arsenalin dhe Mançester Junajtidin për të siguruar shërbimet e tij.
“Topçinjtë” kanë parë tashmë dy oferta të refuzuara për yllin e kombëtares angleze, me të fundit që mbërriti në 90 milionë paund. Por skuadra e Mikel Artetës, e cila është edhe destinacioni i preferuar i vetë lojtarit, do të rikthehet me një ofertë të tretë, e cila pritet t’i afrohet shifrës minimale që kërkohet nga klubi londinez, 100 milionë paund.
Por futja në valle e kampionëve të Pep Guardiolës mund t’i ndryshojë ekuilibrat dhe nisë në ankand që i leverdis Uest Hemit, për ta shitur akoma më shtrenjtë liderin e skuadrës që fitoi Ligën e Konferencës këtë sezon.
Oferta e dytë e Arsenalit ishte 75 milionë paund kesh dhe një bonus prej 15 milionë paundësh, e cila u refuzua nga Uest Hemi. Ndërsa më herët këtë muaj kishin tentuar fillimisht me një ofertë prej 80 milionë paundësh.
Në ofertën e tretë, Arsenali është i gatshëm të përmbushë vlerësimin prej 100 milion paundësh. Akordi me lojtarin, prej më shumë se 200 mijë paund në javë, do të mbyllet menjëherë pasi Uest Hemi dhe Arsenali të gjejnë gjuhën për vlerën e kartonit.
Por pritet të shihet sesi interesi i Sitit do të ndryshojë dinamikat e atij që mund të jetë transferimi më i shtrenjtë brenda Premier Ligës këtë sezon.
PANPRAMASPORT.AL