Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka folur për emisionin “Super Gol” në RTSH pas humbjes përballë Egnatias në kampionat. Tekniku i “të kuqve” është i kënaqur me lojën e skuadrës, por ka pretendime ndaj gjyqtarit të takimit.
“Patëm raste të pastra, më pas erdhi goli i Egnatias. U munduam të bënim gjëra, me meritë ose pa meritë pikët i mori Egnatia. Jam shumë i kënaqur me çunat, djemtë luajtën shumë mirë.
Goli i dytë i Egnatias erdhi nga gabimi teknik i arbitrit, pas një rivënie anësore që ishte Bakajoko në dyluftim anësor, largon topin, arbitri e jep për Egnatian, ne ishim jo të organizuar në pjesën mbrapa dhe kështu u ndëshkuam. Pastaj nuk e di rregulloren, duhet ta lexoj edhe njëherë për gjestin antisportiv, si rregull jepet karton i kuq dhe për mua është penallti, rasti i Berishës në Shqipëri-Izrael rasti konkret, por ndoshta është një rregullore tjetër.
Është hera e dytë, e njëjta gjë ndodhi edhe me Dinamon në Elbasan, por me këtë s’dua të merrem fare, të merren organet përkatëse, por ju lutem sillni një më të aftë në ndeshjet tona, se fituam 3 ndeshje dhe nuk u bë nami.
Marku doli dy herë brenda zonës, tentuam 2-3 herë, duhej ta godisnim, rezultoi e saktë deri diku, shkuam te porta, këto janë raste që mund të krijonim. Mos harrojmë që luajtëm kundër Egnatias, që edhe ajo vinte nga fitoret”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja për RTSH.


