Lautaro Martinez është lideri dhe njeriu që merr përsipër skuadrën e tij në momentet e vështira. Pas fitores në Mynih, ai ka ekzaltuar shpirtin e skuadrës dhe karakterin e këtij ekipi që nuk heq dorë nga ëndrrat. Lautaro gjithashtu shpjegon edhe golin fantastik që magjepsi Mynihun.
“Fitova një duel në mesfushë dhe pashë hapësirën ku ndodhej Turam. Ai më shërbeu një top shumë interesant. Doja që të goditja me të majtën, por kishte shumë njerëz përpara dhe në moment vendosa që të goditja me të djathtën. Ishte një gol i bukur, por mbi të gjitha shërbeu për të marrë avantazhin dhe kjo ka më shumë rëndësi se të tjerat”, tha fillimisht Lautaro.
Sa i rëndësishëm është ky rezultat?
Shumë. Ishte një fitore që erdhi pas barazimit me Parmën. Duhet ta tregonim në fushë që jemi një skuadër e fortë. Kemi folur shumë me njëri-tjetrin sepse ndaj Parmës nuk bëmë ndeshje të madhe dhe e dinim. Nëse duam të fitojmë duhet të lëmë pas krahëve sfida të tilla dhe ndaj Bajernit ishte një ndeshje ndryshe në të gjitha aspektet. Treguam karakter, personalitet dhe kualitet. Kemi bërë një fazë të mirë pa top, ndaj një ekipi të fortë dhe me lojtarë të shkëlqyer. Jam i lumtur. Edhe një herë tjetër djemtë treguan në një stadium të madh dhe ndaj një ekipi të fortë që e meritojnë këtë fanellë dhe po e nderojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Çfarë ndeshje duhet pas një jave?
E njëjta si kjo. Këtë herë u hoqëm topin nga qarkullimi dhe ata vuajtën. Tani mendojmë për ndeshjen në kampionat dhe pastaj në Champions. Duhet të rikuperojmë shpejt forcat, sepse kemi shumë ndeshje. Nga kjo sfidë dalim me shumë besim dhe dëshirë për të shkuar sa më larg. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por ne do të provojmë me të gjitha mënyrat, sepse jemi një skuadër e madhe.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL