Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut, KF Shkëndija, ka hyrë në fazën përgatitore për garat evropiane, ndërsa nga dita e shtunë ndodhet në Terme Čatež të Sllovenisë, ku po zhvillon përgatitje intensive me nga dy seanca stërvitore në ditë.
Kuqezinjtë janë duke u përgatitur për ndeshjet eliminatore të UEFA Champions League dhe në këtë drejtim janë caktuar edhe katër ndeshje kontrolluese me rivalë të përzgjedhur me kujdes, që do t’i ndihmojnë trajnerit dhe stafit të tij në vlerësimin e gjendjes fizike dhe tekniko-taktike të ekipit.
Seria e testimeve nis të martën, më 17 qershor, në Zreçe kundër skuadrës rumune FC Argeș Pitești, për të vazhduar më pas me duele ndaj FC Koper (Slloveni), PFC CSKA Sofia (Bullgari) dhe NK Olimpija (Slloveni).
Megjithatë, vlen të theksohet se përballja e fundit me Olimpijan mund të anulohet nëse kjo skuadër sllovene rezulton të jetë kundërshtari i Shkëndijës në shortin e parë të Ligës së Kampionëve që hidhet po ashtu më 17 qershor në Nyon. Në atë rast, kuqezinjtë do të gjejnë një kundërshtar alternativ për testin final.
Kalendari i ndeshjeve kontrolluese të Shkëndijës në Slloveni:
17.06.2025 – vs FC Argeș Pitești (Rumani), në Zreçe – ora 17:30
21.06.2025 – vs FC Koper (Slloveni), në Kodolevo ose Grosuplje – ora 17:30
25.06.2025 – vs PFC CSKA Sofia (Bullgari), në Terme Čatež – ora 17:30
28.06.2025 – vs NK Olimpija (Slloveni), në Grosuplje – ora 17:00 (në pritje të shortit evropian)
Stafi teknik i Shkëndijës pret që këto teste të shërbejnë si pasqyrë reale për përgatitjen e skuadrës para sfidave të rëndësishme ndërkombëtare që i presin në muajin korrik.