Kampioni i Kosovës në hendboll, Rahoveci, luan me Dudelangen e Luksemburgut në raundin e dytë të Kupës Evropiane.
Mirëpo, të dy ndeshjet do të luhen në Dudelange të Luksemburgut, ndonëse në kushte normale njëra prej këtyre ndeshjeve do të duhej të zhvillohej në Rahovec.
Ndeshja e parë është më 10 tetor, ndërsa e dyta një ditë më vonë, pra më 11 tetor.
Përmes një njoftimi të lëshuar të martën, Rahoveci ka thënë se e ka të pamundur të luajë në shtëpi, përkatësisht në palestrën “Mizahir Isma”, që do të jetë në dispozicion të Komisionit Zgjedhor që nga 1 tetori.
Në fakt për zgjedhjet lokale dhe numërimin e votave do të bllokohen shumica e palestrave në vend që nga 1 tetori, e të paktën deri më 20 tetor.
“Për shkak të zgjedhjeve, nga nesër palestra ‘Mizahir Isma’ kalon në menaxhim të KQZ-së, rrjedhimisht, nuk mund të zhvillohet asnjë ndeshje aty. Për pasojë, jemi të detyruar që të dyja ndeshjet ndaj ekipit nga Luksemburgu, Dudelange, në kuadër të garave evropiane, t’i zhvillojmë në Luksemburg”, shkruan në njoftimin e Rahovecit.