Xhorxho Kielini, ish-mbrojtësi dhe kapiteni i Juventusit, por edhe i Kombëtares së Italisë, është rikthyer të flasë pas shumë kohësh për karrierën e tij të artë, por jo vetëm.
FUTBOLLI ITALIAN “Kemi arritur në një pikë thelbësore, sepse nëse nuk arrijmë të gjejmë shpejt një akord, një zgjidhje për të ndryshuar të ardhmen, atëherë do të jetë shumë vonë për ne. Gjatë karrierës sime shpesh kam kuptuar se kur dukej momenti për të bërë hapa përpara, në të vërtetë bënim një pas dhe kjo gjë duhet të përfundojë sa më shpejt. Nëse vendosim që të nisim të ndryshojmë në menaxhim, qeverisje, infrastruktura, atëherë mund të nisim të shohim rezultate të rëndësishme brenda 5-vjeçarit të ardhshëm, ndryshe do të jemi vite dritë nga të parët. Është absurde kur mendon se dy skuadrat e Milanos apo Fiorentina për shembull nuk arrin dot të ndërtojë një stadium. Ndërsa në Romë flitej për një stadium të ri që kur Toti ishte në fillim të karrierës së tij, ndërkohë që Françesko ka vite që ka përshëndetur dhe jemi ende aty ku ishim. Kështu nuk mund të ecet me të njëjtin hap me ligat e tjera”, – bëri hyrjen prej drejtuesit të ardhshëm Xhorxho Kielini.
DE ROSI – Shumë prej miqve dhe shokëve të tij të Kombëtares italiane kanë vendosur të nisin karrierën e trajnerit, ndryshe nga “King Kongu” që e sheh veten pas një skrivanie në rang administrativ. “Për Daniele jam dyfish i lumtur, sepse pas eksperiencës së parë te SPAL-i po haste vështirësi që të gjente një skuadër të një niveli të lartë. Gjithsesi, brenda kësaj gjejë qëndrojnë edhe dy të vërtetë: ai nuk ishte skarco kur u shkarkua nga SPAL-i dhe kurrsesi nuk u bë papritur Guardiola. Në futboll është e rëndësishme të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe më pas gjërat rrjedhin vetë…”.
RIVALËT MË TË FORTË – Shumë sulmues e kanë pasur frikë, por edhe një gjigant si Xhorxho Kielini kishte frikë, përballë rivalëve të caktuar, por frikë në aspektin sportiv. “Ata që më kanë shënuar më shumë nga të gjithë dhe më vinin në presion kur u takoja ishin Kristiano Ronaldo, përpara se të vinte te Juvja, por edhe Mauro Ikardi kujtoj më ka shënuar shumë. Personalisht jam ndjerë gjithmonë më komod me atë që kanë qenë edhe më të mëdhenj sesa unë me trup, si për shembull Romelu Lukaku apo edhe Zlatan Ibrahimoviç. Pavarësisht se ishin edhe më të fortë në dukje se unë, ndaj tyre kam arritur gjithmonë ta përdor shumë mirë fizikun tim dhe mendoj se do ua konfirmojnë edhe ata (qesh)”.
JUVENTUSI DHE RONALDO – Duke mbetur te Kristiano Ronaldo është e pamundur që të mos kërkohet një mendim për periudhën e tij te Juventusi: “Personalisht mendoj se nisa që të ndjej më shumë përgjegjësi si juventin, në vitin që luajta në Serinë B. Madje, ai sezon kaloi shumë shpejt dhe në mënyrën më të bukur të mundshme. Në nivel ekonomik për klubin ishte një masakër financiare dhe nuk ishte aspak e bindur që do të ngriheshim shpejt. Madje, ai sezon ishte edhe shumë më keq sesa në dy të tjerët që pasuan, në Serinë A, kur e mbyllëm në vend të shtatë. Po Ronaldo? Në vitin e parë Kristiano kishte një dëshirë të çmendur të tregonte se ishte ai më i fortë sesa Reali i Madridit. Dhe mendoj se në atë sezon ishim thjesht të pafat, duke qenë se në pjesën më të rëndësishme u dërrmuam nga dëmtimet dhe Ajaksi na eliminoi nga Champions-i. Nëse do t’i kishim kaluar mendoj dhe jam i bindur që mund t’i kishim shkuar deri në fund. Sepse sa më shumë afrohet finalja, aq më tepër karikohej Ronaldo dhe në një sfidë teke, të gjithë e dinim sesi dinte ai të çonte te triumfi. Ndërkohë, në dy vitet e tjerë në Torino, forma e Ronaldos ra, sepse ra forma e cilësisë së grupit të lojtarëve. Dhe me peshën e moshës që kishte, as një si Kristiano nuk mund të zgjidhte gjithçka gjithmonë vetëm ai…”.
KONTE – Si shumë juventinë, edhe Xhorxho Kielini është shumë i lidhur me Antonio Konten, trajnerin që riktheu “Zonjën e Vjetër” nga ferri post-”Calciopoli” te tri tituj radhazi, duke i lënë gati edhe Alegrit një skuadër blind, e cila fitoi edhe 6 tituj të tjerë radhazi më pas (njërin me Sarrin). “Unë isha një nga ushtarët e tij. Antonio është një person që të penetron në shpirt dhe të bën të jetosh në një realitet krejt tjetër. Mjaftojnë pak ditë me të dhe je i gatshëm që të sakrifikosh veten për Konten. Është shumë kërkues çdo ditë, qoftë fizikisht, ashtu sikurse psikologjikisht dhe kjo sepse është një rreshter shumë i ashpër. Gjithsesi, ai arrin që të bindë sepse në fund tregon gjithmonë se strategjia e tij funksionon dhe ia vlejti. Me moshën ndoshta do të vijë dhe të bëhet gjithmonë e më pak i ashpër, kjo edhe falë eksperiencës jashtë Italisë që do ta ketë ndihmuar në këtë aspekt. Gjithsesi, pas shumë vitesh intensive, unë mendoj se pauzën e ka kërkuar vetë, ka pasur nevojë që të mendojë, relaksohet dhe studiojë, por ndoshta edhe sepse dy njerëz të afërt për të, si trajneri i tij dhe ndarja nga jeta e Sinishës i bënë të kuptojë se ka edhe një jetë tjetër të rëndësishme jashtë futbolli. Situata si këto të prekin, sepse të gjithë mendojnë se ne futbollistët apo trajnerët jemi si makineri. Por në të vërtetë është krejt e kundërta. Personalisht isha gati të vdisja për atë në fushë dhe kudo ai donte, por akoma më shumë se kaq shpresoj dhe ëndërroj që ta shoh të rikthehet te Juventusi, sepse ai jo vetëm që është njeriu i duhur, por mendoj se ka lënë një punë përgjysmë, duke u dorëhequr pas titullit të tretë kampion radhazi”, përfundoi Xhorxho Kielini.
PANORAMASPORT.AL