A ta duhej të ishin pjesë e skuadrës, të paktën në stol, që në rastin e sfidës me Leçen, siç u paralajmërua përballë duelit. Por nga ata të dy nuk u ka as hija në stadiumin “Via del Mare”. Por çfarë është më e keqja, në pritje të ndeshjes me Empolin, këto ditë asnjëri nga Federiko Kieza dhe Adrien Rabio nuk janë stërvitur me skuadrën.
Nga pamjet që janë ofruar nga klubi bardhezi ata vazhdojnë që të punojnë veçmas dhe mbi të gjitha ndiqen me shumë kujdes nga stafi mjekësor. Nëse për Kiezën është raportuar për një ematomë poshtë gjurit të operuar, e cila e pengon që të lëvizë si duhet dhe nuk ka ndërmend që të ulet për më shumë se 10 ditë, për Rabionë nuk kuptohet arsyeja e mungesës. Edhe ndaj Leçes, pavarësisht fitores 3- 0, u pa qartë se mungesa e francezit në mesfushë u ndie shumë, duke qenë se skuadra shtynte përpara me vështirësi me top të ulët, ndonëse zgjedhjen e gjeti edhe me krosimet nga ajri.
Gjithsesi, ideja është se, si sulmuesi italian, ashtu sikurse mesfushori francez as që duken në horizont për të pasur ndonjë shpresë rikuperimi për Empolin. Kështu që edhe të shtunën pasdite, Juventusi dhe trajneri Masimiliano Alegri duhet të bëjnë sërish pa ata të dy. Kieza dhe Rabio shpresohet që po mbahen “në akull” për të rikuperuar forcat, për të pasur një formë më të mirë, në pritje dhe të derbit të Italisë kundër Interit. Sfida e 4 shkurtit në stadiumin “San Siro” mund të ndryshojë planet dhe bindjen e Juventusit për të synuar titullin kampion, pasi një fitore bardhezi do të thoshte një ndryshim skenari totalisht për të ardhmen e sezonit.
PANORAMASPORT.AL