Federata e Futbollit të Kinës ka përjashtuar përgjithmonë nga futbolli 43 persona. Mbi to rëndonin akuzat për trukime ndeshjesh dhe forma të tjera korrupsioni. Kjo është masa e radhës në përpjekjen më të fundit për të eliminuar korrupsionin në sportin ekipor të vendit, deri më tani me performanca të dobëta.
Agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua” raportoi të martën se Zhang Xiaopeng, një zyrtar i lartë i policisë, mori pjesë në një konferencë shtypi në Dalian, ku dha detaje të një “hetimi 2-vjeçar, që zbuloi një seri rastesh të lojërave të fatit në internet, trukimeve dhe ryshfetit”.
“Xinhua” saktësoi se 120 ndeshje në ligat vendase, 128 të dyshuar për krime dhe 41 klube u përfshinë në hetim. Nga të ndaluarit, 38 ishin lojtarë dhe 5 ishin zyrtarë që punonin për klube të ndryshme.
Ish-lojtarët e kombëtares kineze Jin Jingdao, Guo Tianyu dhe Gu Chao ishin mes atyre që u përjashtuan përjetësisht nga sporti. Lojtarëve dhe zyrtarëve të tjerë iu dhanë pezullime të shkurtuara, duke përfshirë lojtarë të huaj të joshur në Kinë nga premtimi i pagave të larta.
Koreano-jugori Son Jun-ho, i cili luajti për Shandong Taishan FC të Kinës, dhe Ewolo Donovan i Kamerunit, i cili më parë luante për Heilongjiang Ice City, u dënuan me nga 5 vite përjashtim nga futbolli.
Presidenti kinez Xi Jinping është zotuar ta bëjë Kinën një superfuqi të futbollit, por ekipet e meshkujve nuk kanë pasur shumë suksese. Premtimet për të ndërtuar fusha të reja dhe punësuar staf kanë dështuar, ndërsa ekonomia përpiqet të rimarrë veten pas pandemisë COVID-19.
Japonia mposhti Kinën 7-0 javën e kaluar për të hapur xhiron e tretë të kualifikimeve aziatike për Kupën e Botës 2026. Kjo ishte humbja më djegëse e Kinës kundër Japonisë, një rivale gjeopolitike në Azi. Kina është kualifikuar vetëm një herë në Kupën e Botës, ku i humbi të tria ndeshjet në grup, më 2002.