I intervistuar nga kanali zyrtar i klubit, Simon Kjaer, mbrojtësi i Milanit, foli për lamtumirën e tij me ngjyrat kuqezi: nga ardhja e tij në “Milanello” deri tek projektet e tij të ardhshme. Më poshtë deklaratat e tij.

Cilat emocionet prej lamtumirës me Milanin?
Kam shumë, pozitive dhe negative. Për nja dy muaj pata ndjenjën se ishte e drejtë të mbaroja tani, dhe më pas do të ketë një aventurë të re. Në rrugëtimin tim në këto katër vite kam arritur një pikë të mirë. Por padyshim që mund të jepja edhe më shumë, për të ndihmuar edhe më tepër. Sidoqoftë, mendoj se është koha e duhur për t’u larguar.
Si ndodhi ardhja juaj në Milano?
Erdha në Itali kur isha 19 vjeç në Palermo. Aty menjëherë i thashë menaxherit tim: Dua të shkoj te Milani. U desh pak kohë, por në fund erdha këtu dhe kjo është klubi im, vendi im dhe do të jetë gjithmonë kështu. Kur mbërrita këtu, Milani ishte në një periudhë shumë të vështirë që kishte zgjatur për shumë vite. Paolo (Maldini) dhe Riki (Massara) më sollën këtu për të dhënë një impakt veçanërisht te të rinjtë, për të dhënë vazhdimësi dhe për ta bërë grupin të rritet.
Si do ta përshkruanit ndikimin tuaj në skuadrën kuqezi?
Natyrisht varet gjithmonë nga grupi, isha me fat që me mua erdhi edhe Ibra. Kurrë nuk kam pasur nevojë të bërtas apo të jap atë lloj stimuli. Punova me individët, duke treguar çdo ditë se duhej të mbërrije herët në punë dhe të shkoje vonë në shtëpi. Para se të mbërrija këtu ishin 2-3 lojtarë që stërviteshin në palestër. Tani janë të gjithë këtu.
Çfarë mund të thoni për rritjen e grupit në vitet e fundit?
Cilësia nuk mjafton. Për të përmirësuar dhe për ta bërë ekipin të rritet, duhet të mësohet vuajtja dhe mendësia e duhur për të punuar dhe për të parë përpara. Në botën e futbollit ka vetëm një gjë që sundon, ajo është mentaliteti. Të gjithë dinë të luajnë futboll. Për buxhetin e shpenzuar nga Milani në këto katër vite janë të paktë në Evropë që kanë arritur të bëjnë atë që kemi bërë ne.
Si dëshironi të mbaheni mend?
Si një mbrojtës që la një ndikim te të rinjtë. Edhe për grintën. Është një pjesë e imja që do ta mbaj gjithmonë, edhe kur nuk do të luaj më futboll.
Si u ndjetë për nominimin tuaj mes 30 kandidatëve për “Topin e Artë”?
Udhëtimi që bëra me Milanin ishte ëndrra e karrierës sime. Duke pasur shansin në moshën 32 vjeçare për të qenë mes kandidatëve për “Topin e Artë” me fanellën e Milanit.
Përse Milani është i veçantë?
Padyshim nga historia. Maldini gjithashtu pati një ndikim në këtë sepse ai ishte mbrojtësi më i mirë në botë. Kur ndjek një mbrojtës, ndjek këtë lloj lojtari.
Çfarë mund të thoni për partnerët tuaj të mbrojtjes?
Kam qenë gjithmonë në dispozicion të tyre. Baza, pavarësisht nëse luani me Kalulunë, Tomori, Gabian dhe Çaun, duhet të jetë e njëjtë. Janë gati të ecin përpara vetë pasi kanë shumë cilësi. Fik (Tomori) ka më shumë përvojë tani dhe duhet ta hedhë një tjetër hap. Ai ka çdo mjet për t’u bërë një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Të tjerët kanë të njëjtat mundësi, por duhet më shumë kohë pasi janë më të rinj.
Çfarë projektesh keni pas kampionatin europian?
Le të themi se e kam ndarë të ardhmen time në tri pjesë. Ka një javë (kjo) që të jem në dispozicion për ndeshjen time të fundit në “San Siro” dhe të mbaj ende fanellën e Milanit. Pastaj ka një aventurë me Danimarkën, që është gjithmonë shumë e veçantë. Dhe pas kësaj më duhet të gjej një vend ku të vazhdoj të luaj futboll. Gjëja më e rëndësishme është kjo javë.
PANORAMASPORT.AL