Granit Xhaka pritet që shumë shpejtë ta përfundojë transferimin e tij të shumëpritur te Bayer Leverkusen këtë javë pasi Arsenali ka pranuar ofertën prej 21.5 milionë funteve për reprezentuesin zviceran.
Tash e dy muaj është raportuar se Xhaka do të kalojë te skuadra gjermane, por më pastaj u shfaqën pengesa rreth çmimit si dhe faktit që Arsenali kërkonte së pari të gjente një zëvendësues të tij.
Por tani ata kanë arritur një marrëveshje për mesfushorin 30-vjeçar, i cili ka vetëm 12 muaj të tjerë për të përfunduar kontratën e tij me Arsenalin, përcjellë lajmi.net.
Tani Xhaka, i cili i kushtoi Arsenalit 30 milionë funte kur e mori nga Borussia Moenchengladbach në vitin 2016, do të nënshkruajë një kontratë afatgjatë me Leverkusen me mundësinë e një roli në stafin e trajnerëve të kësaj skuadre.
Leverkusen fillimisht shpresonte të nënshkruante me Xhakën për rreth 12 milionë funte, por pastaj janë detyruar të rrisin ofertën e tyre./Lajmi.net/