S ignal Iduna Park” do të jetë “arena” ku do të ballafaqohen dy emblemat e Gjermanisë në spektrin e futbollit, saktësisht Dortmundi dhe Bajerni. Edhe pse atmosfera e krijuar në “strehën” e verdhezinjve cilësohet si më e zjarrta, jo vetëm brenda kufijve, sërish bavarezët ndër vite ia kanë gjetur “formulën” për t’i mposhtur. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga statistikat më pikante nga të dyja kampet.
BILANCI- Në harkun e 133 dueleve në total mes Bajernit dhe Dortmundit në të gjitha frontet, diktohet nga 68 fitore të bavarezëve, 34 për verdhezinjtë (saktësisht gjysma e sukseseve të Bajernit) dhe 31 ndeshje janë ndarë në paqe. Në kuadrin e lojtarëve që e kanë gjetur më tepër rrugën e rrjetës në “Der klasse”, Levandovski “mburret” me 32 gola, teksa lë shumë mbrapa Gerd Mylerin me 15, një më tepër se Tomas Myler.
FORMA- Borusia Dortmund dhe Bajerni ende nuk e kanë shijuar humbjen përgjatë 9 javëve Bundesligë. Të besuarit e Tomas Tuhelit grumbullojnë 23 pikë, 2 më tepër se rivalët më të mëdhenj. Por ecuria e rekordmenëve gjermanë në ciklin aktual si udhëtues nuk bind. 3 ndeshjet e fundit pësojnë gol dhe kartonët e verdhë janë kthyer në “meny” të preferuar.
Në harkun e 4 takimeve si mysafir në kampionat, Kejni me shokë e kanë gjetur rrugën e golit në 11 raste, e përkthyer me mesataren 2.75, kundrejt 9 golave të Dortmundit në rolin e pritësit.
Julian Brand ka shërbyer si promotor në golat e vendësve kur janë impenjuar në shtëpi (3 gola, mesatarisht 33% të finalizimeve nga verdhezinjtë në “Signal Iduna Park”.
Leroi Sane ka marrë profilin e “goleadorit” kur kampionët në fuqi të Bundesligës kanë udhëtuar, 4 gola. Po ashtu vlen të ceket se grupi i Edin Terziç është treguar naiv në shkaktimin e penalltive, dy të tilla. Ndërsa mbi 65% të golave nga të dyja ekipet vijnë në pjesën e dytë.
BAJERNI I FRIKSHËM – Gjigantët nga Mynihu nuk kanë humbur asnjë nga 10 transfertat e fundit në Dortmund, 9 fitore dhe 1 barazim. Ecuria më e gjatë koincidon në vetëm një rast, ekzaktësisht periudha 1998-2002, 11 takime.
MYLER, MAKTHI I RIVALËVE- Tomas Myler ka festuar 15 fitore karshi rivalë më të mëdhenj në Gjermani, e arritur në harkun e 25 prezencave. Askush nuk ka bërë dot më mirë se futbollisti 34-vjeçar me origjinë nga Bavaria. Pikërisht Myler e realizoi debutimin në tempullin e Dortmundit, teksa konkretizoi dopietën si zëvendësues në vitin 2008, e përfunduar me suksesin 1-5.
KEJN, “NUHATËS” PERFEKT- Përtej nisjes fantastike me Bajernin, Herri Kejn ka precedentë interesantë përballë rivalëve të sotëm. Në periudhën kur bomberi anglez djersinte fanellën e Totenhemit, Kejni në distancën e 4 dueleve ndaj Dortmundit ka shënuar 4 gola dhe ka kontribuar me 1 asist, “preja” e preferuar.
“MARATONOMAKU” HUMELS- Mats Humels ka shansin të barazojë kuotën e Mikael Zork, në lidhje me numrin më të lartë në “Der klasse”, 28 të tillë. Myler është i vetmi futbollist aktiv nga Bajerni që ka shifrën më të lartë, 25.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL