Mesfushori i Dinamos, Klevi Qefalija, ishte protagonist absolut në fitoren 2-0 ndaj Flamurtarit, ku u shpall edhe “Lojtari i Ndeshjes” pas një performance të shkëlqyer në mesfushë.
Në prononcimin e tij pas takimit, Qefalija u shpreh i kënaqur për fitoren, megjithëse pranoi se mund të kishte shënuar vetë:
“Jam pak pishman për rastin e humbur, por e rëndësishme është që morëm tri pikë të vlefshme. Kjo fitore na jep besim për ndeshjet e ardhshme.”
Mesfushori zbuloi gjithashtu një lajm interesant, duke treguar se është në listën e pritjes për Kombëtaren shqiptare:
“Kam qenë në listën e pritjes për grumbullim. Po punoj fort dhe shpresoj që momenti im të vijë. Ky duhet të jetë viti im, si me Dinamon ashtu edhe në aspektin personal.”
Sa i përket rolit në fushë, Qefalija sqaroi:
“Pozicioni im ndryshon sipas ndeshjes dhe kërkesave të trajnerit. Sot, në pjesën e dytë, më kërkoi të veproja më shumë në gjysmë-hapësirë.”
Me këtë formë, duket se Qefalija po shndërrohet në një nga pikat më të forta të Dinamos së Ilir Dajës.